E Diel, 1 Nëntor 2026

Dieta kurativo-ideologjike e PS, si indiani Jani që nuk ka ngrënë për 74 vjet

Rezistencë për t’u dobësuar

Edi Rama bojkoton grevën e deputetëve socialistë duke mos u bërë pjesë e saj vetëm për të dalë sa më shumë në konferenca ekzibicioniste shtypi për të afirmuar virilitetin si burri i rezistencës për transparencë. Me anaforën retorike: rezistencë, rezistencë, rezistencë (që ngjason me “Resistere! Resistere! Resistere! të Benito Mussolinit, alias Dux”) mungonte vetëm kënga Avanti popolo....resistere per vincere” - rezistencë për të fituar - që Edi Kristaq Rama e ka kthyer në “rezistencë për t’u dobësuar”.
Megjithatë I Papranueshmi Rama është recidiv në këto veprime pasi nuk mori pjesë as në zgjedhje, as në protestën me maska të zeza, për përjashtimin nga parlamenti për shpifje të deputetit Taulant Balla. Këto aksione janë të dështuara përderisa komandanti nuk hyn në luftë, por lëshon partizanët në luftën e urisë për pushtet. Bile ka mundësi që Edi Rama të kërkojë konsulencë tek plaku 82-vjeçar Prahald Jani, i cili thonë (lajm i vërtetë: BBC dt. 29 prill) se nuk ka hangër e as ka pirë prej më shumë se 74 vjetësh. Zoti Prahald, përveç se nuk ka ngrënë dhe nuk ka pirë asgjë, prej një jave vëzhgimi, nuk ka qenë as në tualet, çka vërteton pohimet e tij. është i shëndetshëm dhe nuk tregon kurrfarë shenje dehidrimi a letargjie, e cila përndryshe paraqitet në raste të tilla. Në Indi është një gjë e zakonshme që nëpërmjet Jogas të kalojnë deri në tetë ditë agjërim pa pësuar pasoja negative. Edhe Edi Rama sipas burimeve të mirëinformuara brenda në Bashki thonë se mban dietë, por kjo nuk e ka shtyrë atë të hyjë vetë në grevë.
Mjerisht është mjaftuar të manipulojë 22 deputetë dhe 180 të panafakë të tjerë (ca thonë kamikazë) që të jenë grevistë socialistë; lule me të cilat do të nisë epokën e re “Shqipëria historinë e kuqe”. Gjithsesi fakirët socialistë kanë ngritur në mënyrë abuzive tendat ushqimore për kinse grevë urie. Karma politike është interesante përderisa ky skenar i PS po i kthehet bumerang me hak ndaj qëndrimit që mbajti në grevën para dy vjetësh të LSI, për kodin zgjedhor. Përfundimi do të rezultojë se ca deputetë socialistë do të dobësohen, pasi dieta funksionon gjersa kamerat janë ndezur. Për të tjerat, sapo kamerat fiken, rehatia fillon dhe...: të lumtë Rama që u ke siguruar kushte të rehatshme qëndrimi. Problemi është se kur proteston gjoja për varfëri, dhe protestuesit shkojnë të pinë kafen tek baret e kullave binjake aty pari dhe të hanë drekën tek restoranti i prenotuar enkas për këtë zijaefet, tek mendjet karteziane rishfaqet sërish dilema.
Marrëdhëniet e Ramës me grevat nuk është se janë edhe aq idilike, sepse kaq shpejt harroi që e vuri në grevë të gjithë kolektivin e artistëve, - kur ishte ministër i Arsimit dhe i Kulturës, - dhe i nxori artistët nga greva me dajak? Tani kërkon të përfitojë nga demokracia, duke harruar se edhe demokracia ka të drejtat e saj të ligjshme për t’u vetëmbrojtur nga anarkistët e llojit leninist, që synojnë ta zhvasin pushtetin me dhunë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›