Beteja që duhet të fitohet!
Askush më nuk mund ta pengojë bashkimin e shqiptarëve. Tashmë kjo është një çështje thjesht e brendshme e tyre se si do t’ia bëjnë për realizimin e këtij projekti kombëtar. Nëse këtë do t’ia lënë spontanitetit apo do ta realizojnë fillimisht nëpërmjet projekteve të përbashkëta kulturore, arsimore, akademike dhe të tjera e së fundi edhe politike. Projekti për ndërtimin e autostradës Durrës – Prishtinë është i pandalshëm. Dhe pa dashur ta zëvendësojmë retorikën e një projekti të tillë me projektin për Pavarësinë, këto janë tashmë të pakthyeshme. Në fakt Pavarësia, sikurse edhe autostrada, mund të kenë një kthim, rruga të mos shkojë për Merdarë, por për Bujanoc dhe të bashkojë shqiptarët, ndërsa Pavarësia të shkrihet në shtetin shqiptar, jo në Shqipërinë e sotme, por duke përfshirë të gjitha trojet e dominuara nga shqiptarët, që njihen si kufij etnikë shqiptarë, duke përfshirë Ulqinin, Prevezën, Shkupin e Preshevën.
Nuk duam ta përgënjeshtrojmë vëllathin nga Italia, por miqtë që na kanë njohur nuk kanë nevojë të na e thonë sa herë që vijnë në Kosovë se ne jemi shtet, bile i pakthyeshëm. Ajo që ka nevojë Kosova të dëgjojë nga miqtë është se ne do të zhvillohemi, dhe se ‘patericat’ e thyera që na kanë dhënë, EULEX-in dhe ICO-në, do të na i heqin. Kjo do të ishte miqësia e shenjtë, ajo që ne shqiptarët kemi nyjëtuar, konceptuar, kultivuar dhe ruajtur ndër deje, “Besa e mikut”. Ne nuk duam të marrim rolin hiperbolizues në kulturën botërore, siç bëjnë serbët duke gënjyer ose grekët duke përvetësuar qytetërimet e të tjerëve, ose duke u lajthitur si europerëndimorët për më shumë se pesë shekuj, se gjithçka fillon me civilizimin grek, ose se kultura e sotme perëndimore është kjo që është, falë atij civilizimi. Pa marrë rolin e përmbysësit të historisë, jua përkujtojmë se çdoherë kur flitet për Greqinë, bile edhe për krizën ajo ilustrohet me tempullin e Parthenonit, dhe muret dhe ndërtuesit e atij civilizimi që e bën këtë simbol tanimë përgjithësisht evropian, nuk është grek dhe i takon një lashtësie paragreke, që as vetë këta nuk bëhen gënjeshtar, të thonë se ishte i tyre, siç bëjnë për shembull sllavomaqedonasit e sotëm duke gënjyer se janë pasardhës të Aleksandrit të Madh, duke ngatërruar toponiminë e një kohe 2000 vjet më parë me atë të emërtuar rreth gjysmë shekulli më parë.
Ne nuk mund të vazhdojmë me qasje detyruese, që nënkupton hipokrizinë, të shtihemi sikur ne pajtohemi me të gjitha konceptet e miqve tanë, me detyrat që ata na japin, dhe se ne ua kthejmë me dashurinë më të çiltër, dhe vazhdojmë vartësinë ndaj tyre pa u hamendur. Kjo sjellje që është produkt psikosocial i krijuar nga rrethanat e robërisë së gjatë, është para fundit. Kjo gjendje mirënjohëse me përulësi dhe nënshtrim, duke dëmtuar interesat e vendit, kryesisht pse ‘disa miq’, siç është rasti kur në foltoren e Kuvendit u mburr të mërkurën, shefi i diplomacisë italiane se ai ishte hartuesi, pra mikja Italia, i tetë pikave të famshme, të robërisë së zgjatur për Kosovën, të neutralitetit të EULEX-it, të vazhdimit të lakut të robërisë, apo të rikthimit në robëri unike, duke na përjashtuar nga historia jonë dhe kultura jonë, dhe tradita fetare, sipas Pakos Ahtisari, janë një vdekje klinike për ne. Pra, përfillja e tyre, nënshtrimi ndaj këtyre pseudovlerave, pseudoinstitucioneve, ICO, EULEX, Pako Ahtisari, janë pajtim me heqjen dorë nga shqiptaria. Dhe këtë janë shumë pak vetë, dhe gjithnjë e më pak po mbesin, që janë të gatshëm ta pranojnë. Dhe është koha, që bërja e një politike të brendshme dhe të jashtme, në kurriz të heqjes dorë nga shqiptaria, të marrë fund.
Të gjitha institucionet, Kuvendi para së gjithash, nuk duhet të pranojnë vendimet nga një mision jolegal dhe jolegjitim sikurse është EULEX-i, i cili nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe Pakon Ahtisari, dokument ky, dhe rrjedhimisht Kushtetuta, nuk e njohin këtë mision. Kjo është beteja që duhet të fitohet!
“Bota Sot”