E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Rama, përgjegjësi personale për shëndetin e grevistëve

(UPDATE) - Greva e deputetëve socialistë ka marrë sot një kritikë të fortë nga Brukseli zyrtar. Në takimin e parë të Komisionit të Asociimit dhe Stabilizimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve europiane janë deklaruar kundër grevës së urisë së Partisë Socialiste. Sipas eurodeputetëve, bojkoti dhe protestat e opozitës dëmtojnë imazhin e vendit dhe bllokojnë integrimin e Shqipërisë ne Bashkimin Europian. Komisioneri për Zgjerimin Fule, ka deklaruar prerë: "Jam i shqetësuar për mungesën e një dialogu politik konstruktiv në Shqipëri. Jam i shqetësuar nga mungesa e funksionimit të plotë të Parlamentit në vend. Jam shumë i shqetësuar nga greva e urisë që ka filluar së fundmi. Kjo grevë shtyn në mbajtjen e pozitave edhe më të kundërta dhe konfrontuese. Greva e urisë nuk heq përgjegjësinë e të gjitha palëve për gjetjen e zgjidhjes bazuar mbi dy parimet: kornizën kushtetuese dhe transperencën. Më vjen keq, por më duhet të them, se greva e urisë i shton përgjegjësinë më shumë liderit të opozitës për gjendjen shëndetësore të grevistëve".


Komisioneri për Zgjerimin, Fule: Shqipëria të vazhdojë implementimin e reformave, për t’u admiruar rritja ekonomike


Brukseli i kërkon qeverisë shqiptare vijimin e kursit reformator, pavarësisht situatës politike që karakterizon momentalisht vendin. Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Fule, deklaroi se Shqipëria e ka të nevojshme përmirësimin e reformave, duke dhënë një mesazh të qartë për bashkëpunimin e forcave politike, por në kushtet kur opozita është fokusuar zyrtarisht në linjën e sabotimit, ai inkurajon autoritetet qeveritare, për të vazhduar punën. Deklarata e komisionerit Fule, u bë pas mbledhjes së Komitetit të Asociim Stabilizimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në Bruksel “Shqipërisë i nevojitet realizimi i reformave të rëndësishme dhe unë për këtë u drejtoj një thirrje autoriteteve shqiptare, të vlerësojnë më shumë se kurrë implementimin e reformave, pasi rruga integruese e Shqipërisë duhet të marrë masa konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh komisioneri, Fule. Ai vlerësoi gjithashtu se ekonomia shqiptare është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa theksoi se falë vijimit të këtij angazhimi të qeverisë, mund të arrihen të tjera dimensione në rritjen ekonomike. “Shqipëria ka shënuar rritje të ekonomisë, dhe kjo është vërtetë për t’u admiruar, pasi është arritur në një kohë të vështirë për financat dhe ekonomitë botërore. Mendoj se vijimi i reformave mund të sjellë të tjera hapa progresistë për ekonominë shqiptare”, deklaroi më tej ai.


Nga fjala e ministres së Integrimit Majlinda Bregu mbajtur sot në Komitetin e Përbashkët Parlamentar të Stabilizim Asociimit, Shqipëri- BE

Z. Fule, është e natyrshme për një njeri të ushqejë iluzione dhe shpresa. Ne jemi të prirur të mbyllim sytë ndaj një të vërtete të dhimbshme dhe të dëgjojmë atë sirenë që shëron plagët. Kjo ka ndodhur edhe me Z. Rama. Ai është humbësi i zgjedhjeve të 2009-s dhe nuk ka asgjë te keqe me këtë. Por të kesh makthin e humbësit dhe iluzionet e fituesit është disi e komplikuar.
Angazhimi politik për perspektivën evropiane të Shqipërisë faktohet nëpërmjet veprimeve konkrete, ndaj ne e ftojmë opozitën ta demostrojë këtë angazhim.
Si përfundim, ne kërkojmë objektivitetin tuaj në vlerësimin e procesit të integrimit evropian në Shqipëri, si një proces i bazuar në merita dhe ndikon në fatin e shqiptarëve.
Prandaj ju kërkojmë të na jepni meritat për ato që kemi bërë dhe do të bejmë. Ne nuk kërkojmë që procesi i integrimit të jetë dhuratë për shqiptarët, por meritë.
Duke u ndalur tek situate aktuale. Prej 9 muajsh deklaratat nga ana juaj, pavarësisht krahut politik, kanë theksuar se: opozita duhet të heqë dorë nga bojkoti dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet në Parlament, pra brenda institucioneve demokratike. Byroja Parlamentare e Këshillit të Evropës, së fundi përsëriti edhe njëherë në deklaratë se Parlamenti është vendi për debat, se atje mund të zgjidhet ngërci politik, dhe se opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca është plotësisht dakord me këtë deklaratë.
Por me keqardhje konstatoj se kjo deklaratë është përkthyer nga Rama në një grevë urie, një formë kjo ekstreme për përshkallëzimin të presionit politik.
Ndërkohë, duke iu përgjigjur deputetit Bostinaru, ministrja Bregu theksoi edhe një herë dy ofertat e vazhdueshme që i janë bërë opozitës: ose të zbatojë deklaratën e Këshillit të Evropës, qe t’i drejtohet Gjykates Kushtetuese ose të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar të ngritur me kerkesën e saj, të cilin në fund nuk e votoi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›