E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk pamë në shesh popull, por rekrutë të një lëvizjeje të detyruar populiste

Jemi në ditën e katërt të luftës për rrëzimin e qeverisë. Synimet pushtetmarrëse të bojkotuesve të parlamentit, të kaosit të rrugëve dhe të thirrjeve subversive, po bëhen “transparente”. Por mungon transparenca e emrave të pjesëmarrësve në grevë, që bën të mudur ndërrimin e grevistëve në turne! Janë të shumtë, tanimë, pjesëmarrësit në manifestim, që flasin kundër Edi Ramës, që u premtoi 10000-lekëshin (vj.), por nuk e mbajti fjalën. Disa prej tyre u panë andej nga stadiumi “Selman Stërmasi”, duke kërkuar automjete për kthim. Ishin turivarur, se e ndjenin veten të mashtruar përkundrejt disa të tjerëve, që i kishin marrë paret në dorë: vring! - “Hë se do t’i merrni, kur të fitojë zgjedhjet Rama!” - u tha me shpotí një kalimtar i rastit. - “Po, kur të na ketë mbirë bari!” - ia pret njëri nga grupi i të zhgënjyerve.-S’ka gjë, se i marrin nipat e mbesat! - ua ktheu tiranasi.
Njëri ndër ikanakët njëri kishte një gazetë, në të cilën kishte nënvijuar fjalët e atij që, tashmë, cilësohej si “mashtruesi”: „Merre me vete vëllanë, motrën, vjehrrin, fëmijën dhe komshiun dhe eja më 30 prill, për të rrëzuar qeverinë“.
Si do ta rrëzojë, pa zgjedhje? Sepse mendon të bojkotojë edhe zgjedhjet! Nuk e kanë keq ata që e krahasojnë me Haxhi Qamilin!
Eja e merre vesh “transparencën” e këtij njeriu, që e ka në majë të gjuhës këtë fjalë, paçka se transparenca është fjala e masakruar në gjuhën demagogjike të Edvinit.
***
E para gjë që të sillet ndër mend nga kjo thirrje revolucionare është boshllëku i thënies : „Kutitë duhen hapur për transparencë, pavarësisht se nuk kërkojmë ndryshimin e raportit numerik të forcave, në parlament“. Po atëherë? Kjo do të thotë se e respekton parlamentin. Por a është e vërtetë, kur e bojkoton edhe parlamentin dhe hyn në këtë seli vetëm sa për të mos humbur votat, sipas ligjit?
Këtë logjikë e kuptojnë vetëm Edi, Spartaku, Nardi, Skënderi, - por jo vetëm këta. Do ta themi edhe cilët janë kategoritë shoqërore të të tjerëve.
Këtë logjikë e kupton, në radhë të parë, Edvin Rama, që humbi zgjedhjet dhe thotë se i fitoi, për të mos dhënë dorëheqjen e humbësit!
Këtë logjikë nuk e kuptojnë dot, nga ana tjetër, elitarët e PS-së, si LMN-ja, ish-presidenti i së majtës Rexhep Mejdani, ish-kryeparlamentari Servet Pëllumbi, si edhe socialistët që po i dezertojnë Edit, duke kuptuar se ai është prototipi i përçarjes në të majtën shqiptare. Nuk e kuptojnë dot edhe ata të majtë se kjo rrëmujë rrugore, sjell vetëm një destabilitet, që bie ndesh me kriteret e komunitetit europian për liberalizimin e vizave Scengen dhe për aderimin e mëpastajmë në BE. Kjo anarki për ruajtjen e skeptrit partiak të Ramës, në kreun e PS-së, e bën fare të tejdukshme se këto zullume rrugësh e rrugicash bien ndesh tërësisht me frymëzimet e njerëzve të thjeshtë që duan të shohin fëmijët, nipat e mbesat jashtë shtetit tonë. A nuk e kupton Rama dhe ndjekësit e tij se kjo cenon aspiratën mbarëpopullore, për të cilën ai dhe të tjerët s’duan t’ia dinë?
Atëherë shtrohet pyetja se cilët janë „ai dhe të tjerët“.
Së pari është ai vetë. Dhe e thamë përse.
Së dyti janë mëkatarët enveristë që i bëjnë diktat në prapaskenë se e kanë kapur Ramën, për të ruajtur paprekshmërinë e tyre për bëmat në kohën e diktaturës, mëkate që kanë mbetur të pandëshkuara. Dhe këto lëvizje si të çe Gevarës apo alla Panço Vila janë të pajtueshme me synimet meskine për të qenë fitimtar abuziv një individ humbës, si ai.
Së treti janë bashkiakët që i ka nën hyqëm Edi, domethënë bashkitë me shumicë të majtë. Këta dhe punonjës të tjerë rrezikojnë vendin e punës nëse nuk i binden urdhrit për rebelim e mosbindje civile ndaj qeverisjes PD-LSI.
Shkurt, ne pamë në shesh jo popullin, por një lëvizje populiste, të detyruar që t’u hipin autobusëve, me kërbaçin dhe me kulaçin (paret ashiqare, pa pikë namuzi që komprometojnë edhe korruptuesit, edhe të korruptuarit ! Madje edhe me pare hua, siç e pamë!).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›