Nacionalizmi sipas filozofit Ernest Gellner
Instituti i Dialogut dhe Komunikimit sjell për lexuesin shqiptar një ndër veprat më të mira të studiuesit të gjysmës së dytë së shekullit që shkoi, sociologut dhe filozofit, Ernest Gellner, “Nacionalizmi”. Një libër që nxjerr në pah dukurinë e nacionalizmit, duke e gjurmuar që nga lindja e rrënjët e tij, kur u krijua shteti-komb modern, deri tek lidhjet e tij me romantizmin, liberalizmin, marksizmin dhe islamin. Nacionalizmi përbën padyshim një ndër forcat më të rëndësishme që kanë ndikuar gjatë historisë së botës moderne. Lindur në vitin 1925, Ernest Gellneri iu bashkua stafit të “London School of Economics” në vitin 1949. Ai ishte profesor filozofie nga viti 1962 deri në vitin 1984, kur u bë profesor i antropologjisë shoqërore në Universitetin e Kembrixhit. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij ai ishte profesor kërkimesh dhe drejtor i Qendrës për Studimet mbi Nacionalizmin në Universitetin e Evropës Qendrore në Pragë. Ai vdiq në vitin 1995.