E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjymtohet në poligonin e qitjes, padit Ministrinë e Mbrojtjes për dëmshpërblim

Kërkon pension dhe pagesë për një person që t’i shërbejë gjatë 24 orëve

Luan Kondi

Tiranë – Një i ri i dëmtuar teksa kalonte pranë një poligoni qitjeje të Ministrisë së Mbrojtjes ka mbetur i dëmtuar rëndë aq sa ka humbur shikimin dhe gjymtyrët. Tashmë ai ka vendosur të padisë Ministrinë e Mbrojtjes për atë që i ndodhi. 20 vjeçari është verbuar dhe gjymtuar si pasoje e një shpërthimi në një poligon qitjeje në kryeqytet.
Ngjarja
Ilir Havalja se bashku, e dy kushërinjtë e tij Gentian Çupi dhe Hamit Çupi ka qenë duke kaluar pak kohë më parë pranë zonës dhe si pasojë e shpërthimit të një predhe është plagosur rëndë. Edhe pse e kanë dërguar me shpejtësi në spital, mjekët nuk kanë mundur t’i sjellin përsëri shikimin. Madje i riu ka qenë në gjendjen kritike për jetën. Pasi ka kaluar gjendjen e vështirë për jetën djali, i cili shoqërohet kudo nga prindërit i është drejtuar Gjykatës së Tiranës. I dëmtuari kërkon që Ministria e Mbrojtjes të dëmshpërblejë shëndetin e tij, të paguajë një person, mundësisht mjek 24 orë në 24, për t’i shërbyer pas gjymtimit, si dhe të shpërblehet morali i tij që pas kësaj ngjarjeje ai nuk ka më mundësi të shijoje jetën, por jeton në ankth, dëshpërim dhe frikë.
Padia
Në derën e zyrës së gjykatëses Elbana Lluri, e cila do japë drejtësinë për këtë çështje, e ëma nuk nguron të thotë se janë shkelur rregullat e ruajtjes së poligonit të qitjes, pasi para stërvitjes zona duhej të ishte kontrolluar për të siguruar banorët. Sipas prindërve, Ministria e Mbrojtjes duhet ta shpërblejë të birin pasi ajo duhet të kishte njoftuar me kohë banorët se zona ishte e minuar dhe banorët nuk duhet të hynin në të. Madje sipas tyre duhet të kishte rrethim të poligonit të qitjes me armë luftarake. Nuk ndodh shpesh që shtetasit të padisin institucionet për dem moral dhe shëndetësor në rastet kur ata gjymtohen dhe kjo sipas juristeve ndodh pasi nuk këshillohen për të drejtat që ata kanë.

Armët e gjetura në shtëpinë e të dënuarit për vrasje dërgohen për ekspertizë

TIRANË - Dy armët kundërtanke, të cilat u gjetën të fshehura në banesën e një të dënuari për vrasje javën që shkoi në kryeqytet, janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin Qendror Kriminalistik, bënë të ditur dje për gazetën “Albania” burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Sipas këtyre burimeve, armët luftarake po i nënshtrohen ekspertizës përkatëse për të parë nëse rezultojnë apo jo të përdorura më parë në ndonjë episod kriminal. Dy armët kundërtanke u zbuluan para tre ditësh të groposura në oborrin e banesës përdhese të shtetasit Taulant Elezi, 23 vjeç, në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë. Shtetasi i mësipërm aktualisht ndodhet në burg, pasi është dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasje. Ndërkohë që materialet hetimore në ngarkim të tij, iu referuan prokurorisë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Prokuroria heton tre persona që dyshohen për trafik të mjeteve motorike

TIRANË - Policia e Tiranës i kërkoi dje Prokurorisë së Rrethit hetimin e tre personave, të cilët dyshohen se janë përfshirë në trafikun e mjeteve motorike. Burime zyrtare nga prokuroria bënë të ditur për gazetën se procedimi penal është kërkuar për shtetasit: Altisin Preketaj, 23 vjeç, banues në Shkodër, si dhe Blerim Gashi dhe Bashkim Lokaj, 30 dhe 33 vjeç, nga Kosova. Sipas këtyre burimeve, në materialet denoncuese pretendohet se këta persona janë përfshirë në trafikun e dy mjeteve tip “BMW”, të cilat janë bllokuar nga shërbimet e policisë, pasi rezultojnë të vjedhura jashtë shtetit. Kallëzimet penale janë marrë në shqyrtim nga prokuroria, e cila ka nisur hetimin për zbardhjen e trafikut të mjeteve motorike. Pak ditë më parë, forcat e Policisë së Shtetit, në kuadër të një operacioni të gjerë në shkallë vendi, bënë të mundur bllokimin e disa makinave, kryesisht prodhime të viteve te fundit, të cilat mendohet se janë vjedhur jashtë shtetit. Operacioni policor u pasua me dhjetëra persona të shoqëruar, si të dyshuar në trafikun e makinave dhe fillimin e hetimeve për dokumentimin ligjor të këtyre çështjeve.

Kapën dy të rinj, po iknin me makinën e vjedhur

KRUJË – Dy të rinj kanë vjedhur një makinë, por e kanë gëzuar vetëm pak orë pasi janë ndaluar nga policia. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se janë arrestuar shtetasit Redian Gega dhe Alket Mirdita, që të dy me banim në fshatin Sukth-Vendas Gramëz, të komunës së Thumanës. Sipas tyre, të dy 18-vjeçarët janë kapur teksa po udhëtonin në drejtim të Mamurrasit bashkë me mjetin e grabitur. Burimet policore bëjnë të ditur se dy të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 08:00 të dy ditëve më parë, kanë vjedhur autoveturën tip “Benz Mercedes 250”, me targa KR 0686 A, pronë e shtetasit Y. J., banues në të njëjtin fshat me autorët e vjedhjes. Menjëherë pas denoncimit në komisariatin e Krujës, forcat e policisë bënë të mundur bllokimi i këtyre dy shtetasve në vendin e quajtur “Ura e Vodafonit” ne afërsi të Mamurrasit. Shtetasit Redian Gega dhe Alket Mirdita po ndiqen penalisht për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.

Ndalohet në doganë skrap radioaktiv, do shkrihej në Elbasan

BLLACË – Një kamion me skrap, i cili dyshohet se përmban rrezatim radioaktiv shumë herë më të lartë sesa normat e lejuara, është ndaluar në pikën kufitare të Bllacës, në kufirin shqiptaro-maqedonas. Lajmi është bërë i ditur nga mediat maqedonase të cilët kanë bërë të ditur se kamioni me ngarkesën e rrezikshme po kalonte transit nga Prishtina drejt Maqedonisë, dhe dyshohet se destinacion përfundimtar kishte qytetin e Elbasanit. Sipas autoriteteve doganore maqedonase, ndalimi është bërë dje, në orët e para të mëngjesit, kur në Bllacë është regjistruar një kamion, i cili vinte nga Kosova i ngarkuar me material që ka përmbajtje radium me rrezatim 9000 herë më të madh sesa ai i lejuar.
Sipas të njëjtave burime, ngarkesa radioaktive deri tani ka nivelin më të lartë të regjistruar gjatë dy viteve të fundit. Pas evidentimit të kësaj ngarkese të rrezikshme, policia ka nisur menjëherë hetimet. Nga të dhënat e marra nga këto efektivë të policisë, mësohet se pika e mbërritjes së kamionit me radioaktivitet ka qenë qyteti i Elbasanit. Kamioni me radioaktivitet ka qenë i ngarkuar me pjesë të vjetra hekuri, të cilat janë ngarkuar në qytetin e Prishtinës. Pas ndalimit të kësaj sasie të rrezikshme, kamioni është kthyer përsëri në vendin e origjinës, në Prishtinë. Në fillim të qershorit, autoritetet doganore të Maqedonisë parandaluan dy tentime për hyrje në vend nga Kosova të hekurit radioaktiv dhe me destinacion përfundimtar Shqipërinë. Njëra prej tyre ka qenë rasti kur një kamion me ngarkesë radioaktive ka rrezatuar 300 herë më shumë se vlera normale maksimale.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›