E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, ose vullneti politik për të vjedhur vota



Nga Armando Meta

Kur Parlamenti pritet pas një muaji të shpërndahet, dy partitë kryesore politike në vend kanë nxjerrë në plan të parë çështjen e reformës elektorale. Për këtë qëllim është kërkuar ngritja e një komisioni parlamentarë në Kuvend, i cili do të merret me hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, në përputhje me ndryshimet kushtetuese që u bënë në Kuvend më 21 prill 2008. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se vetëm PS-ja ka përgatitur një draft, mbi të cilën pritet të diskutohet në Komisionin e Reformës. Ndërsa PD-ja vjen me “duar në xhepa”, në pritje për të debatuar mbi formulimet që kanë bërë ekspertët socialistë për zgjedhjet. Është mëse e kuptueshme se partitë e opozitës janë më të interesuarat për një proces të drejtë e të saktë zgjedhor, me qëllim që t’ia zvogëlojnë në maksimum qeverisë futjen e duarve në mënyrë të paturpshme në kutitë e votimit, siç ka ndodhur pak a shumë me të gjitha qeverisjet që kanë organizuar zgjedhje në këtë vend. Ky është shkaku që Shqipëria vijon të jetë vendi i fundit në Europë sa i përket organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përpjekja për t’i mbajtur qeverinë dhe instrumentet e saj larg manipulimit të kutive të votimit është një sfidë jo e vogël me të cilën duhet të përballet opozita. Kjo sfidë bëhet akoma më serioze po të kihet parasysh se kryeministri Berisha ka një eksperiencë jo të vogël në drejtim të manipulimit masiv të zgjedhjeve parlamentare. Fakti që edhe zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007 shënuan një hap shumë mbrapa krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005, ku fitues doli koalicioni i drejtuar nga PD-ja, dëshmon qartë se qeveria aktuale nuk ka vullnet për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Krahasimi se zgjedhjet e 2009-s do të jenë një hap përpara krahasuar me zgjedhjet vendore të 2007-s, do të përbëjë një “ogur të zi” për procesin zgjedhor dhe mënyrën e organizimit të zgjedhjeve në vend. Pavarësisht përpjekjeve për të thjeshtuar sistemin zgjedhor, është mëse e qartë se mbi kokat e të gjithë qytetarëve shqiptarë qëndron pezull një vullnet i qartë politik për të mos lejuar në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fakti që për 16 vjet me radhë nuk organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të pakontestueshme është prova më e qartë e këtij vullneti të mbrapshtë politik. Po të vihet re me kujdes, as qeveria dhe as klasa politike shqiptare në përgjithësi nuk kanë dhënë deri tani asnjë garanci se zgjedhjet e 2009-s do të jenë të lira dhe të ndershme. Refreni i tyre i vetëm kanë qenë deklaratat për kryerjen e reformës elektorale në këtë drejtim, por pa ecur asnjë hap më tej. Por, ndërsa për fjalë marrim në qafë thuajse të gjithë botën, pasi drejtues të lartë të politikës vijojnë të vuajnë nga deliri politik i madhështisë, ndërkohë që e dinë se s’kanë asnjë pikë vlere në zhvillimet e politikës së madhe rajonale dhe europiane, sa u përket veprave ata janë të fundit. Mbetja në vendnumëro sa i përket procesit të reformës elektorale nuk ka të bëjë me pamundësinë ose kohën e shkurtër të kompletimit të kësaj reforme. Ecja së prapthi në këtë drejtim ka të bëjë me vullnetet herë tinëzare dhe herë të hapura për ta dominuar dhe kontrolluar procesin zgjedhor herë nga njëra forcë politike e herë nga tjetra, sipas radhës në qeverisje. Dyshimet se dhe zgjedhjet e 2009-s do të kenë të njëjtin fat me zgjedhjet e mëparshme shtohen kur mjafton të shikojmë se ende nuk është krijuar regjistri kombëtar i zgjedhësve, që është detyrë e qeverisë, ende nuk ka filluar procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit, që është prapë detyrë e qeverisë. Pra, ende nuk ka filluar ndërtimi i infrastrukturës zgjedhore. Thuajse nuk është bërë asgjë me përjashtim vetëm të disa ndryshimeve në Kushtetutë për sistemin zgjedhor. Çdo ditë që kalon jo vetëm që i komplikon më shumë gjërat në këtë drejtim, por zbeh thuajse tërësisht besimin se në këtë vend do të mund të organizohen ndonjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke parë me kujdes rrjedhën e ngjarjeve, arrihet lehtësisht në përfundimin se forcat kryesore politike më shumë sesa po bëjnë kujdes që t’u sigurojnë shtetasve shqiptarë një proces të lirë votimi, po përpiqen që të mbajnë nën kontroll vullnetin e shtetasve, për ta përkthyer atë, nëpërmjet rrugëve mjaft të dyshimta, në votë për leverditë e tyre politike. Ajo që mund ta fusë në kolaps të gjithë procesin zgjedhor duket se nuk është vetëm moskompletimi në kohën e duhur i reformës elektorale, por edhe shqetësimi se projekti për ndryshimin e Kodit Zgjedhor i paraqitur nga njëra forcë politike, në rastin konkret të PS-së, mund të përdoret si alibi për të justifikuar të gjitha vonesat për organizimin në kohë të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Pa dashur të dukemi paranojakë kemi të drejtën të dyshojmë se edhe zgjedhjet e radhës do të jenë një dështim. Psikologjikisht klasa politike na ka ushqyer vetëm me ritualin e zgjedhjeve, që s’kanë qenë as të lira, as të ndershme. Në fakt, s’kanë qenë kurrë zgjedhje, por vetëm vjedhje. Kemi të drejtë të dyshojmë për sa kohë ende nuk na është provuar e kundërta. Por fakti që një palë shkon me projekt për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa pala qeveritare vjen “me duar në xhepa”, duket se dëshmon se gjërat tashmë janë paravendosur nga kjo e fundit.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›