“Njerëz të humbur” gjen nënën dhe motrën e Roland Blacërit pas 22 vitesh
Një dhimbje e shumëfishtë, një jetë e trazuar dhe me shume halle për t’u përballuar, aq sa shumëkush mbase do të kishte hequr dorë… Por situata të tilla duket sikur njerëzve u japin më shumë forcë, janë një sprovë e mirë për të treguar atë forcë të brendshme që çdonjëri mund ta ketë përbrenda vetes dhe thjesht kërkon “terrenin” për ta vënë në lëvizje… E tillë ka qenë historia e Roland Blacërit, djalit nga Pogradeci, i cili në vazhdën e “qetësisë pas stuhisë” gjeti forcën për t’u përballur me kamerat televizive të emisionit “Njerëz të humbur” dhe të tregonte hap pas hapi ndodhitë e jetës dhe të bënte një lutje për nënën dhe motrën e tij që të bëheshin të gjalla…
Historia
Rolandi ka lindur në qytetin e Pogradecit në një familje e cila pati shumë probleme. Që në moshë të re atij iu desh të punonte për të mbajtur familjen e tij. Mosmarrëveshjet mes prindërve të Rolandit lanë një shije tejet të hidhur në kujtesën e tij, saqë qyteti i liqenit e humbet bukurinë për të duke qenë thjesht “qyteti i lotëve”. Divorci ishte e vetmja zgjidhje që prindërit e Rolandit për t’u dhënë fund konflikteve të vazhdueshme që kishin mes tyre. Ymer Blacëri dhe Bukurie Topçiu u drejtuan në Gjykatën e rrethit të Pogradecit, ku kjo e fundit vendosi dhe për kujdestarinë e katër fëmijëve që ata kishin sjellë në jetë së bashku. Rolandi bashkë më njërin vëlla, Kastriotin, duhej të qëndronin me babain, ndërsa Manjola dhe vëllai tjetër, Klodiani, të qëndronin me nënën. Megjithëse të vegjël, fëmijët mundoheshin të mbanin kontakte mes njëri-tjetrit. Kjo zgjati deri në vitin 1986, kohë në të cilën kontaktet mes tyre u ndërprenë. Në studion e emisionit “Njerëz të humbur” Rolandi tregoi për vuajtjet që ka hequr në mënyrë të vazhdueshme. Martesa e të atit me një tjetër grua ishte një nga “torturat” e vazhdueshme për Rolandin, i cili në një moshë rreth 13 vjeç u detyrua të largohet nga shtëpia dhe të punonte te një lokal, pronari i të cilit u kujdes edhe për strehimin e tij. Por, nga ana tjetër, ai ishte përherë i interesuar të merrte vesh se ku kishte përfunduar motra e tij, Manjola, bashkë me vëllain, të cilët i ishin ngarkuar për kujdestari nënës. Gjatë kërkimeve ai mori vesh se e ëma ishte martuar në një fshat të Korçës dhe të dy fëmijët që i ishin ngarkuar për t’i rritur i kishte braktisur në shtëpinë e fëmijës. Për vite të tëra ai u mundua të gjente një adresë të nënës dhe të motrës, Manjola, por ishte e pamundur. Askush nuk i tregonte gjë. “Shpeshherë kam qenë i sëmurë duke lënguar në shtrat dhe kërkoja të më vinte nëna te koka, por nuk e pashë asnjëher녔. Këto kanë qenë fjalët e Rolandit për dhimbjen që ndiente për mungesën e nënës ndër vite. Trupi dhe mendja e tij po përballonin shumë: një nënë dhe një motër të cilën nuk e dinte se ku ishin dhe që nevojën e tyre e ndiente për ditë…
Në një moshë të re, akoma adoleshent, ai detyrohet të shkojë si emigrant në Greqi dhe të shkëpusë vëmendjen nga Shqipëria për shumë vite. Në pranverën e vitit 1999 ai kthehet në Shqipëri dhe me shumë mundime arrin të mësojë që motra e tij Manjola ishte transferuar në konviktin e fëmijëve jetimë në Korçë. “Takoj rastësisht një vajzë para konviktit dhe e pyes: ‘Më falni, a e njihni Manjola Blacërin?’ Vajza e habitur më pa dhe më pueti se kush isha. ‘Jam vëllai i saj…’ Në sytë e vajzës filluan të binin lotët dhe më thotë: ‘Nuk ka mundësi… Landi jeni ju…?’ Nuk e njihja vajzën me të cilën po bisedoja. Ajo kishte qenë motra ime”. Kështu shprehet Rolandi për momentet kur kishte takuar për herë të parë pas rreth 13 vitesh motrën e tij. Të lumtur që kishin gjetur njëri-tjetrin ata kishin qëndruar për orë të tëra duke biseduar. Rolandi i kishte thënë motrës se do të ikte sërish në Greqi, por me premtimin se do kthehej shpejt dhe do ta merrte për të jetuar gjithmonë të pandarë.
“Sapo shkova në Greqi, fatkeqësisht pësova aksident dhe për ditë të tëra kam qenë në koma. Kur u përmenda ndodhesha në spitalin e burgut. Kështu nuk munda të mbaj premtimin tim ndaj motrës…
Kërkimi dhe gjetja
“Kur u ktheva në Shqipëri më thanë se motra ishte larguar, por pa e ditur se ku”. Një rrëfim tejet i prekshëm i një realiteti të hidhur e të vazhdueshëm. Në emisionin e Aida Shtinos, Rolandi vinte për të kërkuar pikërisht motrën e tij, por dhe nënën, të cilën kishte më shumë vite pa e parë. Stafi i “Njerëz të humbur” në një kohë rekord prej një jave arriti të binte në gjurmët e nënës së Rolandit, e cila u tregua e gatshme të ritakonte të birin pas shumë vitesh. Meraku më i madh ishte të gjendej Manjola, por teleshikuesit e shumtë dhanë një ndihmesë të çmuar për gazetarët dhe treguan se vajza ishte martuar dhe jetonte në Itali prej vitesh.
Dy gëzime në një ditë dhe sipas Rolandit “momenti më i lumtur i jetës”. Kështu përkufizohej nata e së shtunës për familjen Blaceri dhe posaçërisht për vetë Rolandin, që arriti të gjente nënën dhe motrën e tij.
Dihej i zhdukur që prej vitit 2000, por dalin në “Njerëz të humbur” shenja jete të tij
“Ka qenë mbrëmja e datës 25 shtator e vitit 2000. Klarenti së bashku me shokun e tij, Erjon Bici, dalin në Liqenin e Ohrit për të peshkuar, por nuk kthehen më”. Kështu e nisi rrëfimin e tij babai i Klarentit për historinë e humbjes së djalit të tij të shtunën në Vizion Plus në programin “Njerëz të humbur”. Në të njëjtën kohë me varkën e djemve niset për peshkim dhe një varkë tjetër me dy peshkatarë nga fshati Lin. Sapo djemtë nisin peshkimin, në liqen nis një erë shumë e fortë, e shoqëruar nga një shtrëngatë shiu, fenomen mëse i zakonshëm ky për stinën e vjeshtës në Pogradec. Pasi stuhia pushon në mesnatë, Klarenti dhe Erioni kanë sinjalizuar me dritë varkën tjetër për t`i ndihmuar. Që prej datës 25 shtator djemtë nuk u bënë më të gjallë për familjen. Kërkimet e familjarëve nisën në mënyrë të menjëhershme duke investiguar në lidhje me çdo detaj që mund t`i ndihmonte ata për të kërkuar djemtë. Nga interesimet e tyre rezultoi se atë natë një shqiptar nga Maqedonia kishte udhëtuar natën e 25 shtatorit drejt fshatit Lin dhe kishte blerë 2 kv peshk. Sapo ka ngarkuar varkën ai është nisur drejt Maqedonisë. Për shkak të furtunës ai ka marrë në telefon patrullën maqedonase për t`i kërkuar ndihmë. Kjo e fundit, në përpjekje për të shpëtuar djalin, dyshohet se mund të ketë marrë në bordin e saj Klarentin së bashku me Erionin. Dyshimet vazhdojnë më tej kur një zonjë maqedonase, punonjëse në policinë e këtij shteti, i pohon babait të Klarentit se e ka parë djalin së bashku me shokun e tij të burgosur në një nga burgjet e qytetit të Ohrit. Kësaj dëshmie i shtohet edhe një informacioni i ardhur nga një doktor, i cili kishte ardhur me pushime në Pogradec dhe kishte deklaruar se i kishte parë djemtë e fshatit Lin të keqtrajtuar shumë keq në një nga spitalet e Maqedonisë. I gjendur mes kësaj ndjenje optimizmi, babai i Klarentit zgjedh “Njerëz të humbur” në Vizion Plus për të kërkuar ndihmën e teleshikuesve. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një numër shumë i madh telefonuesish nga Maqedonia dhe Pogradeci telefonuan dhe dhanë informacione pozitive për vendndodhjen e djemve. Shumë prej tyre konfirmuan faktin se të dy djemtë ishin arrestuar nga policia maqedonase dhe pasi kishin kryer burgun, ishin lënë në gjendje të lirë. Një pjesë tjetër pohuan ekzistencën e Klarentit në Maqedoni ku djali ishte parë në qytete të ndryshme nga ku kishte marrë me qira një shtëpi me një shok tijin. Kjo mbetet pikënisja kryesore e kërkimit të fatit të djalit 23-vjeçar, i cili që prej vitit 2000 konsiderohej i zhdukur nga familja.
SHËNIM
“Për cdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen ëëë.njereztehumbur.com, shkruani ne adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni ne Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”
1 Korrik 2008