E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vishesh me modën e pantallonave të shkurtra

Rikthehen kominoshet e shkurtra, takat e larta dhe sandalet me gisht

Merita TOÇILA
Shik dhe praktike, pantallonat e shkurtra janë më shumë se kurrë në modë këtë verë. Pa harruar rikthimin që nuk ka kaluar pa u vënë re të kominosheve të shkurtra, tamam ajo që duhet për sezonin. Të shoqëruara me taka të larta, sandale me gisht, balerina dhe me gjithë aksesorët e tjerë të verës; shalle që mund t`i vendosni në qafë, tek vithet apo në flokë; rripa të llojeve të ndryshme, byzylykë apo perla, mund të realizoni lukun për të qenë tendencë gjithë kohën e verës. Jo dhe aq femërore, shumë të shkurtra, me gjatësi normale ose tepër të gjata. Kemi dëgjuar nga të gjithë për pantallonat e shkurtra dhe bermudat, vetëm se këtë verë i shihni kudo, sepse kanë pushtuar butikët e çdo marke. Ju propozojmë një shumëllojshmëri ngjyrash, materialesh dhe prerjesh nga më të ndryshmet dhe më të larmishmet. Kjo do t`i bëjë t`u rrahë zemra gjithë ndjekëseve të apasionuara të modës. Ju i pëlqeni ngjyrat? Atëherë mbani një palë pantallona të kuqe të ndezur, të kombinuara me një kanotiere po të kuqe, për të pasur një luk total të kuq, ose një rozë trëndafili, e cila shkon shumë me ngjyrën e xhinsit. Për më tepër seriozitet, kombinoni me modelet që keni zgjedhur për verën bluzat, xhaketinat apo kanotieret me pantallona në ngjyra bezhë të bardhë, ose kakao, dhe të jeni të sigurta se këto ngjyra shkojnë për të gjitha morfologjitë e trupave. Edhe siluetat rrumbullake mund t`i gëzohen pantallonave të verës duke iu përmbajtur këtyre ngjyrave. Keni edhe variante të tjera në prerje, maksi ose mini. Ju jeni të lira pastaj të zgjidhni nëse doni të adaptoni më tepër tendencën mini ose versionin maksi, si dhe të mos i lini pas dore modelet që vijnë në prerje xhins, gjithmonë tendencë. Pothuajse të gjitha prerjet e pantallonave janë me manshetë në fund, me ylykë të gjerë në pjesën e qemerit, me pjetina dhe pala të theksuara dhe me xhepa të mëdhenj ose të fshehur. Nuk mungojnë kopsat e mëdha, si dhe aksesori më zbukurues i tyre, rripi i gjerë ose i hollë, sa për një garniturë të lehtë. Ka diku diku edhe prerje në vijën e vitheve për të evidentuar me tepër pjesën e shtratit. Nëse doni të jeni në krye të tendencave për nga vlerat, sigurisht që kominoshet e shkurtra janë ato që duhet të vishni. Janë një model shumë shik i sjellë në materiale të ndryshme, në puplin, lino ose mëndafsh. Përsa u përket ngjyrave, mund të përdorni ngjyrën blu-elektrik, që në pjesen e sipërme është bust, në bezhë me model saharian ose dhe në xhins. Ka nga të gjitha stilet, të gjitha ngjyrat. Ju mbetet vetëm të zgjidhni!

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›