E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD-PS nuk i lëshojnë llogoret për reformën

28/12/2004  Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk pranojnë të lëshojnë terren mbi reformën elektorale, duke bllokuar dhe diskutimet. Pas dështimit të negociatave dhe bllokimit të punës në parlament janë thelluar akoma më shumë llogoret mes dy forcave kryesuese në politikën shqiptare. Dje janë lëshuar deklarata diametralisht të kundërta. Në këtë mënyrë PS dhe PD nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po largohen nga konsensusi që duhet për të çuar deri në fund rekomandimet e ndërkombëtarëve për kodin zgjedhor dhe për ndarjen e zonave elektorale.

PS

Zëdhënësi politik i PS-së, Gjergji Koja, ka akuzuar dje PD-në se "po dënon me vdekje zgjedhjet e vitit 2005. Sipas Kojës, "qëndrimi i PD-së në Kuvend, lidershipi i të cilës deklaroi në mënyre paradoksale se nuk do të njihte as listat e zgjedhësve që po mundësohen nga regjistrimi i tanishëm, si dhe qëndrimet totalisht refraktare ndaj alternativave të OSBE-së, dëshmojnë qartë se kjo parti nuk kërkon zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, por po përpiqet t'i bllokoje dhe të mos i njohë ato që tani". Gjithashtu, Koja ka argumentuar arsyet pse PS-ja deklarohet kundër ndarjes së re të zonave zgjedhore sipas variantit që mbron PD-ja. "Ndarja është antikushtetuese, pasi nuk llogarit në zgjedhje një numër shumë të madh votuesish që për arsye të ndryshme nuk kanë votuar në tetor të vitit 2003. Ndarja përjashton një numër të konsiderueshëm zgjedhësish që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që në zgjedhjet e 2005 do të votojnë për herë të parë". Gjithashtu, sipas Kojës, nuk mund të lejohet "që në disa qytete të votohet sipas kriterit demokratik "një zgjedhës, një votë", kurse në disa qytete apo zona të tjera sipas kriterit "një zgjedhës për të gjithë fisin", siç ka ndodhur disa herë kryesisht në veri të vendit, ku si pasojë e këtij votimi artificial na kërkohet të shtojmë zona elektorale në veri, kur realiteti i numrit të zgjedhësve atje është krejt ndryshe".

PD

Demokrati Fatos Beja, në lidhje me këtë çështje, shprehet se "PD-ja kërkon që të gjithë shqiptarët të kenë emrat në listat e zgjedhësve. Regjistrimi i popullsisë në 2001 i bërë nga PS-ja është një listë faktike, jo me qëllim elektoral, prandaj është i mundshëm për t'u marrë në konsideratë. Jemi dakord për të marrë edhe një kombinim tjetër, me votuesit që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e tre herëve të fundit, por PS nuk e pranon këtë kombinim". Sipas Bejës, "qeveria thotë se janë 155 mijë shqiptarë që nuk kanë emrat në lista dhe nuk i ka korrigjuar. Ndërkohë që OSBE-ja përpiqet që të futë në tryezë të gjitha qëllimet e palëve për të pasur një marrëveshje. Çdo variant që është mbi listat është një variant i papranueshëm për PD-në, sepse i japim 5 deputetë më shumë PS-së, gjashtë muaj përpara". Kështu, nga dy përfaqësuesit si nga PS-ja ashtu dhe nga PD-ja, ka vetëm ftesa për të reflektuar dhe për të braktisur pozicionet që po mbahen prej gati disa muajsh për ndarjan e zonave elektorale. Çështja ka shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese prej nga pritet të dalë vendimi se mbi ç'baza dhe kritere do të merret një vendim politik për zonat zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›