E Shtunë, 31 Tetor 2026

"DigitAlb", një leksion i munguar për shqiptarët

Një leksion, që moti u duhej demonstruar dhe ligjëruar shqiptarëve në përgjithësi në Ballkan, por që njëkohësisht duhet të shërbejë edhe si ekzemplar, gjithsesi edhe qeverive shqiptare në Tiranë e Prishtinë, si dhe faktorit politik shqiptar në Shkup, ishte pikërisht organizimi dinjitoz i transmetimit të manifestimit "Jemi një", me rastin e 28 Nëntorit, nga platforma dixhitale "DigitAlb". Disa djem profesionistë, të shkathët e të aftë nga Tirana, erdhën në Shkup për t‘u shpalosur shqiptarëve të këtushëm, madje edhe joshqiptarëve, të cilët te shqiptarët shohin gjithçka negative, por jo afinitete e vlera, se janë të denjë të instalojnë vlera në mes të Shkupit, vlera që sot me një gjuhë tjetër quhen standarde evropiane.

Reagimet e shqiptarëve të shumtë, të cilët për të ndjekur nga afër këtë organizim profesional dhe dinjitoz me rastin e Festës Kombëtare - Ditës së Flamurit kishin ardhur nga e gjithë hapësira shqiptare, ishin shumë të thjeshta, ama edhe me porosi të qartë: "Hallall u kjoft këtyre të ‘Top‘-it!"

Dhe, pikërisht, ashtu i përkryer mu duk edhe mua, sikurse edhe shumë qytetarëve, të cilët këtë zhvillim kapital për shqiptarët e shikonin nëpërmjet prizmit real e objektiv.

Le të shërbejë ky manifestim si një shembull i mirëfilltë, në radhë të parë për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe krijimit të një tradite të shënimit të mirëfilltë të datave të tilla me rëndësi madhore kombëtare. Në radhë të dytë, pse të mos "dridhet" i tërë Ballkani nga curlet e kremtimit në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup të Ditës së Madhe, 28 Nëntorit. Le të mësojnë edhe nxënësit e Sarandës se, edhe në Shkup po hidhet vallja në këtë ditë, le ta dinë edhe shkupjanët se në Prishtinë, po me kaq krenari e gëzim shënohet festa e Ditës së Flamurit.

Pse të mos shërbejë si mësim edhe për qeveritë shqiptare të Tiranës e Prishtinës, por edhe të Shkupit, se si duhet të përgatiten dhe shënohet kjo Festë e madhe Kombëtare. Fundja, të gjithë popujt e rajonit, datat e mëdha i festojnë në mënyrë dhe format të tillë. Të mos flasim për atë se si gjermanët apo popujt e tjerë evropianë e kremtojnë ditën e shtetformimit të tyre.

Pra, ishte pikërisht "DigitAlb"-i grandioz, ai që çdo familjeje shqiptare, kudo qofshin ato, ua solli nëpër shtëpi momentet festive nga të tria qendrat shqiptare. Ishte hera e parë që një media, me këtë nivel të lartë teknik dhe artistik, po realizonte transmetimin nga Tirana, Prishtina e Shkupi njëherazi dhe me një cilësi të paparë realizuese.

Pra, ligjërata dhe leksioni "Jemi një", kishte këtë porosi: Dita e Flamurit të shënohet në mënyrë madhështore, dinjitoze dhe solemne, njëkohësisht në tri qendrat shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›