Ditari i Edward Lear: Në Shqipëri më morën për shejtan!
Udhëtimi drejt viseve shqiptare do t‘i vinte krejt papritur. Poeti dhe piktori anglez, Edward Lear, në përpjekje për t‘i shpëtuar epidemisë së kolerës që e kapi në Selanik, në shtator të vitit 1848 niset drejt një territori të panjohur. Ajo që do të zbulonte më tej ishte edhe më e pabesueshme. Përgjatë një viti shëtiti pjesën më të madhe të Shqipërisë. Zbuloi një botë tjetër. Në letër hodhi piktura të peizazheve që e mahnitën më shumë, një dëshmi e veçantë e udhëtimit të tij në këto vise, që më vonë do të grishnin shumë aventurierë në misterin e tyre. Takoi mjaft njerëz. Mënyra e tyre e të jetuarit e habiti. E po aq edhe rite të caktuara, si visheshin, si përshëndeteshin, si prisnin mikun, vajtonin të vdekurin, apo edhe trajtonin gratë. Në këtë botë gati naive, Edward Lear ngjante me një shejtan që i bënte magjitë me lapsa e letër. Këtë eksperiencë të pashlyeshme e ka hedhur mes rreshtave të një ditari, i cili, për herë të parë, vjen shqip nën përkthimin e Majlinda Nishkut, si botim i "Plejad". Një rrëfim për një botë shqiptare të një shekulli e gjysmë më parë, nën një rrëfim të çiltër, i mbushur plot vende e personazhe reale. "Ditari i udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, nga manastiri për në Ohër, Tiranë dhe Shkodër, dhe pastaj prej atje në drejtim të jugut në Himarë, Çamëri e Greqi, është një prej librave më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë për këtë vend në gjuhën angleze", shprehet Robert Elsie. Kemi shkëputur disa pjesë të veçanta nga ky ditar udhëtimi në Shqipërinë e panjohur.
9 shtator 1848
Pas sëmundjes së rëndë që kalova në Greqi dhe krizave të përsëritura të armikut këmbëngulës, ethe, gjashtë javë pushim në ndërtesën e Ambasadës Britanike buzë Bosforit, nën kujdesin e një prej familjeve më bujare, më në fund m‘i kthyen fuqitë, të mos them shëndetin e plotë. E ndërsa ditët e verës fluturojnë dhe koha për udhëtim shkurtohet, planin e mezipritur për të vizituar pjesë të Greqisë, Shqipërisë etj., o duhet ta vë në zbatim tani, o kurrë...
20 shtator
...Nuk është e lehtë të përfytyrosh një territor të përvijuar kaq natyrshëm sa Ohri. Liqeni rrethohet i gjithi nga kodrat, me shumë pak hapësirë midis rrëzës së tyre dhe ujit, përveçse nga veriu, ku kodrat tërhiqen nja 3 milje, duke i lënë vend një fushe mbi të cilën mbizotëron plotësisht kështjella e Ohrit majë një shkëmbi të vetmuar. Qyteti shtrihet në tri faqe të kodrës së kështjellës dhe hapet në perëndim e lindje të fortesës përgjatë bregut të liqenit, kurse vetë shkëmbi bie thikë nga jugu. Këtu nuk mungonte asnjë nga tiparet e përhershme të këtyre skenave: minaret e bardha dhe grupet e rrapeve të dendur përqark qytetit. Kur iu afrova rrugëve të tij më tërhoqën vëmendjen disa xhami të bukura, si dhe tek-tuk ndonjë rrugë e gjerë me dyqane, ose treg, nën hijen e rrapeve të stërmëdhenj. Në këtë qytet, i pari që shihja në Shqipërinë Veriore, të bëjnë shumë përshtypje kostumet e veçanta, sepse, ndonëse veshjet e të gjithë këtyre banorëve janë mjaft të larmishme, fiset e Gegërisë (zonë që përfshin gjithë territorin në veri të lumit Apsus, Osumi), që njihet zakonisht si Shqipëria Ilire, kryeqytet i së cilës mund të thuhet se është Shkodra, ndërsa Ohri skaji më perëndimor (sic) ua kalojnë gjithë fqinjëve të tyre për nga bukuria e kostumeve. Përveç veshjes së zakonshme, ata hedhin sipër edhe pelerina ngjyrë vjollcë, të kuqe si gjaku, ose të kuqe të ndezur, me bordura pelushi, ose të qëndisura anash me fije apo gërsheta prej ari. Jelekët dhe xhaketat zakonisht i kanë të zeza dhe e gjithë pamja e tyre e jashtme bën kontrast të fortë me bardhësinë e teshave të fqinjëve të tyre të bardhë nga Berati, apo larminë e ngjyrave të vëllezërve të tyre të Epirit. Nuk munguan edhe prova të tjera që kisha hyrë në një tokë tjetër, sepse, kur po kalonim ngadalë përmes kanaleve plot me pata (këto kanale, apo vija uji me "trottoirs" në të dyja anët, që i kapërceje duke kërcyer nëpër ca gurë, janë karakteristike në këto anë), më përshëndetën me gurë të vegjël e copa dheu që më binin në kokë. Pamja profane e kapelës sime të bardhë tërhoqi vëmendjen dhe shkaktoi zemërim te banorët ortodoksë të Ohrit dhe, siç thotë Gjergji, "po nuk mësuat të mbani feste, Vosignotia s‘keni për të gjetur paqe, madje mund të humbni edhe ndonjë sy pas një a dy ditësh".
21 shtator
Dalja herët nëpër qytet, i cili është plot me skena të mrekullueshme rrugësh (me kodrën e kështjellës, ose malet që i rrinë gjithnjë në sfond), do të kishte qenë më e këndshme sikur gratë dhe fëmijët të mos më kishin bombarduar pa kursim me gurë nga qoshet më të papritura. Ika me vrap në periferi, ku bëra një skicë të kështjellës dhe qytetit nga një si bregore e ngritur. Një çoban mori guximin të më afrohej për të parë çfarë po bëja. Me të parë konturet e kështjellës në letër, sokëlliu "Shejtan!" me sa kishte në kokë dhe u largua me vrap prej meje, si prej ndonjë shtrigani profan. Filloi një shi i imët dhe, kur u futa nëpër ca rrugica që të çojnë drejt liqenit (duke bërë kujdes të shmangia kopetë e buajve dhe tufat e deleve të ruajtura nga qen të mëdhenj) ca prej këtyre njerëzve të egër e të druajtur më panë që nga larg dhe u sulën me ulërima nëpër shtëpitë e tyre, duke kërcitur shulat e duke përplasur duart me vendosmërinë më demonstrative kundër fantazmës bredharake. Shkova në han dhe fillova të përgatitem për vizitën te Sherif Beu, guvernatori dhe personaliteti më i lartë në Ohër, për të cilin më kishte dhënë letër Serasqer Pashai...
26 shtator
Mëngjes i përhimët, i qetë dhe i këndshëm. Ajri duket dyfish më i nxehtë nga kontrasti midis fushave të ulëta dhe maleve të lartë, nëpër të cilët udhëtuam këto dy ditët e fundit. U nisa herët, për ta shfrytëzuar plotësisht ditën në Elbasan - një qytet me një pamje piktoreske të pashoqe, si vetë, ashtu edhe vendi ku është ngritur...
Ende nuk kisha filluar mirë të vizatoja (nuk e kisha me vete as rojën, Beqirin) kur ia behu popullata e Elbasanit një nga një e dy nga dy, e shumë shpejt u mblodhën një ushtri e tërë me nja tetëdhjetë, apo njëqind syresh, me kureshtjen e etur që u lexohej në sy. Mbarova së vizatuari ca prej ndërtesave kryesore, kur ata i dalluan dhe nga turma shpërtheu njëzëri thirrja e përgjithshme "Shejtan!". Është pak e çuditshme të shpjegohet, por shumica e sehirxhinjve futën gishtat në gojë dhe filluan të fishkëllejnë si të xhindosur, siç bëjnë çirakët e kasapëve në Angli.
Ndoshta ishte një lloj formule kundër magjisë sime, nuk e di, por papritur kuptova absurditetin e qëndrimit tim aty, duke vizatuar i ulur mbi një ledh, ndërkohë që një turmë e tërë më fishkëllente me sa fuqi kishte. Pa marrë parasysh pasojat, shpërtheva në të qeshur me gulçe, impuls që, me sa duket, u pëlqeu edhe gegëve, sepse filluan të gjithë njëzëri të lëshojnë britma kënaqësie, ndërsa ledhet përcillnin jehonën e gazmendit të hareshëm. Por, medet! Ky shend nuk zgjati shumë, sepse ia behu një nga ata dervishët e mërzitshëm - prej të cilëve ka sa të duash në Elbasan, me turbanët e tyre të gjelbër - që filloi të ulërinte me sa kishte në kokë mu në veshin tim: "Shejtan, shkruu! Shejtan!" (Shejtani vizaton). Ma mori bllokun, e mbylli gjithë inat dhe tregonte me gisht nga qielli, për të më treguar që perëndia nuk do ta lejonte këtë veprim të pafe. Pas kësaj nuk kishte kuptim të vazhdoja më. Thirrja "Shejtan" u ngrit njëzëri në një kor të egër, pas së cilës vuajta edhe pasojat që kisha hequr festen nga koka (për të ndenjur më rehat), në formën e një rrebeshi të tmerrshëm gurësh, që më ndoqi nga pas edhe nëpër rrugët e mbuluara.
Gratë himarjote
23 tetor
...Në orën dhjetë e gjysmë filluam zbritjen dhe pas pak dolëm nga retë, në rrezet e diellit që nxirrte në pah të gjitha vështirësitë e asaj që quhet Sreada Bianka, ose Aspri Rruga: një rrugë zigzage që kalon mu në zgrip të honeve thikë, por që është kalim midis Himarës dhe Vlorës në drejtim veri-jug. Rruga i ngjan një shkalle dhe kur e ngisja kalin teposhtë, në çdo kthesë më dukej sikur do të përfundoja drejt e në detin e kaltër atje poshtë. Ndërsa kur ecën në këmbë, njeriu fillon ta kuptojë shumë mirë se çfarë provon miza kur ecën nëpër tavan apo mur pingul... Pak më poshtë, në faqe të malit, takuam një grup udhëtarësh himarjotë; s‘ka njerëz që lëvizin kaq shumë sa himarjotët. Ishin nja tetëdhjetë a njëqind gra të ngarkuara, s‘kisha parë askund tjetër, së bashku me të afërmit e tyre meshkuj, të cilët e ngjitnin malin për qejf të tyre, kurse gratë ishin ngarkuar me guna, foshnja e bohçe.
"O Zot!" më shpëtoi pa dashje pasthirrma, me gjithë betimin që kisha bërë për t‘iu përmbajtur filozofisë sime të udhëtimit: "Mos nxirr asnjë pasthirrmë habie për asgjë!" "Si mund t‘i katandisni kështu gratë tuaja skllave, deri në këtë masë?" "O Signore", tha Anastasi, "ty si i huaj mund të të duket e jashtëzakonshme, por fakti është që në Himarë s‘kemi mushka dhe prandaj përdorim krijesa që s‘janë dhe aq të fuqishme, si gratë (un anomale tanto poco capave). Nuk ka zgjidhje tjetër, mushka s‘ka dhe gratë janë gjëja më e përafërt me mushkat. Vi assicuro, Signore, megjithëse nuk krahasohen me mushkat për nga fuqia, prapë janë më të mira se gomarët, madje dhe më të mira se kuajt". Ky ishte i gjithë sqarimi që m‘u dha për ndërhyrjen time.
Këto gra himarjote ishin të të gjitha moshave dhe mjaft prej tyre shumë të bukura. Veshja që kishin përbëhej nga një fund i gjatë i bardhë, me një përparëse leshi të qëndisur (që e vishnin mbrapa dhe jo përpara!). Burrat, veshur me guna të bardha, dukeshin të fuqishëm dhe ecnin me krekosjen e epërsinë aq karakteristike që i dallon të gjithë shqiptarët. Pothuaj të gjithë individët i folën Anastasit sikur ta njihnin. Grupi ishte nisur për në Vlorë për të punuar në ullishta gjatë dimrit.
29 tetor
Medet për integritetin e Himarës! Një jelek i ri leshi dhe një palë pantallona të trasha që kisha marrë në çantën e shpinës, ishin zhdukur; nuk e di nëse nga duart e mushkaxhinjve të Dukatit, kur po lahesha, apo nga ato të Fortinës së bukur e të braktisur, me apo pa bashkëpunimin e heshtur të Anastasit - s‘kam për ta marrë më vesh kurrë. Më mirë do të kisha dashur ta kishin fajin të parët; sidoqoftë teshat ishin zhdukur dhe kjo punë nuk ndreqej. Nuk thashë asgjë për këtë humbje, sepse nuk doja të krijoja kujtime të shëmtuara zënkash. Në tërësi, i gjithë udhëtimi përmes maleve të Vetëtimës më kishte shpërblyer pa masë dhe isha shumë i kënaqur nga kujdesi i vazhdueshëm dhe natyra e qeshur e Anastas himarjotit. Ndërsa për dragomanin e gjorë, Gjergj Kokalin, të zotët e shtëpisë ishin plot me ankesa dhe më thanë se ishte "immer besoffen", gjithnjë i dehur, nga mëngjesi në darkë; megjithëse, kur kishte qenë me mua nuk kishte treguar asnjë shenjë mungese vetëpërmbajtjeje. Gjergji, nga ana e tij, falënderoi fatin që nuk do të rrinte më në Vlorë dhe m‘u betua se këtu shërbëtorët i trajtonin më keq se gjithë skllevërit që kishte parë gjatë udhëtimeve të tij të gjata.
Me të gdhirë zbrita në fushë me zezakun Marjan dhe vizatova Vlorën nga rrafshina afër detit, pastaj u ktheva për drekë para mesditës. Gjatë drekës, shpërthimet e fuqishme dhe autoritare të Herr S. kundër të gjithë monarkëve, tiranëve, mbretërve, autokratëve etj. (sapo i kishin ardhur gazeta të reja nga Austria), ishin kaq tërësisht të papëlqyeshme, sa që u lehtësova pa masë kur mora vesh se kishin mbërritur dy kuajt, me të cilët do të shkoja për të vizituar Shën Mërinë e Zvërnecit në një ishull të vogël nja dy milje larg Vlorës, së bashku me zezakun si udhërrëfyes...