E Shtunë, 31 Tetor 2026

"DigitAlb", së shpejti në një satelit të ri të "Eutelsat"

Kompania "Eutelsat Communication" dërgoi me sukses në hapësirë dy satelitë të rinj. Në hedhjen e saj të fundit për vitin 2008, raketa evropiane ‘ariane 5-ECA" mbante në bord dy satelitët - W2M dhe hotbird 9. Lëshimi u krye në qendrën hapësinore Kuru në Guajanën Franceze.

Me një investim prej 600 milionë dollarësh, është hera e parë që "Eutelsat" ndërmerr një sfidë të tillë - të dërgojë dy satelitë njëherësh me një rrugë të vetme. Por teksa për telekomunikacionin e kontinentit të vjetër kjo është një risi, e reja prek edhe Shqipërinë. Një prej satelitëve në bordin e Ariane 5 është "W2m". Ai zëvendëson satelitin W2 nga ku shpërndahet edhe sinjali i kanaleve të kompanisë "DigitAlb" dhe "Top Channel".

Shpërngulja përfundimtare e të gjitha kanaleve në W2M do të bëhet në muajin janar, pa sjellë asnjë problem në transmetim gjatë kohës së transferimit.

Përveç cilësisë më të lartë të sinjalit që mbërrin në aparatet e klientëve, "DigitAlb" do të shtojë më shumë kanale në këtë satelit të ri. I ndërtuar nga EADS Astrium dhe agjencia hapësinore indiane ISRO, W2M pozicionohet në pozicionin 16 gradë në lindje të "Eutelsatit". Me 30 transmetues, ai zëvendëson W2M-in që funksionon prej vitit 1998. Dy satelitët e rinj janë elementët e parë të një programi ambicioz zgjerimi prej 7 satelitësh që do të hidhen deri më 2010-ën.

Ky ishte udhëtimi i gjashtë i raketës për këtë vit dhe pas shqetësimeve lidhur me furnizimin e saj me hidrogjen të lëngshëm, raketa u nis me 45 minuta vonesë. Inxhinierët thanë se problemi nuk ishte i rëndë dhe gjithçka u përmbyll me lëshimin e suksesshëm në hapësirë të satelitëve, 30 minuta pas largimit të raketës nga toka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›