E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahen çmimet "Vangjush Mio"

Piktorët dhe skulptorët më të mirë, pjesëmarrës në konkursin mbarëkombëtar të arteve figurative në Korçë, janë vlerësuar me çmimin "Vangjush Mio". Çmimet janë ndarë mbrëmjen e së shtunës në Galerinë e Arteve. Në cilësinë e kryetarit të jurisë për këtë konkurs të arteve figurative, pedagogu i pikturës në Akademinë e Arteve, Fatos Kola, ka ndarë çmimet për fituesit e këtij konkursi. Aktiviteti më i rëndësishëm i arteve figurative që organizohet në qytetin e Korçës ka vlerësuar piktorët dhe skulptorët më të mirë, ku një pjesë e çmimeve u kanë kaluar pikërisht artistëve të ardhur nga Maqedonia dhe Kosova.

Me çmimin e parë në pikturë u nderua Gentian Zeka dhe në skulpturë Vladimir Kaçaku. Çmimet e dyta i fituan piktori Ritvan Aliti dhe skulptori Aurel Bala. Me çmime të treta u vlerësuan piktori Nikolin Ivanaj dhe skulptori Muharrem Sadiku.

Artistë figurativë nga trevat mbarëshqiptare u paraqitën me artin e tyre në ekspozitën e fundvitit, në konkursin mbarëkombëtar që mban emrin e piktorit Vangjush Mio. Mes larmisë së ngjyrave të derdhura nga peneli i artistëve, peizazhet, portretet, natyrat e qeta, kompozimet, stilet dhe teknikat e secilit artist kanë sjellë plot 40 krijues në këtë konkurs. Ekspozita e pikturës dhe skulpturës në nderim të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, ka sjellë një larmi veprash artistike në galerinë e arteve. Piktorë e skulptorë të njohur nga rajoni i Korçës, nga qytete të ndryshme të vendit, artistë të penelit dhe daltës nga Kosova dhe Maqedonia, kanë prezantuar në këtë konkurs punimet e tyre më të mira në një konkurs me përmasa mbarëkombëtare. Ekspozita me punimet e tyre do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit në Galerinë e Arteve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›