E Diel, 1 Nëntor 2026

Një takim poetik në Fier

"Poeteka Apollon ‘08", aktiviteti i përvitshëm letrar në qytetin e Fierit, pothuajse rrezikoi të mos zhvillohej këtë vit.

Shkak ka qenë lëvrimi i me vonesë i fondeve nga Bashkia e Fierit. Unioni i Shkrimtarëve të Qarkut Fier e kanë organizuar vetëm për tri ditë takimin letrar. Autorët e librave të qarkut, si dhe mjaft dashamirës së letërsisë dhe artit janë mbledhur së bashku në një nga baret e qendrës së qytetit dhe kanë përcjellë mes tyre dhe shumë të ftuarve vargjet poetike të gjithsecilit, pjesëmarrës dhe dashamirës të poezisë. Në këtë aktivitet, përveç poetëve të qyteteve të ndryshme të vendit si: Durrësi, Tirana, Saranda e Vlora, Elbasani dhe Kuçova, merrnin pjesë edhe poetë të ardhur nga Maqedonia dhe Kosova. Fjalën përshëndetëse të aktivitetit e ka çelur kryetari i Unionit të Shkrimtarëve të Fierit, Nuri Plaku, i cili është ndalur te prurjet artistike të autorëve të Fierit. Poeti i ri, Gentian Banaj, i cili ishte dhe moderatori i këtij aktiviteti ka përcjellë emocion në poezitë e interpretuara. Mosha e pjesëmarrësve në aktivitetin e titulluar "Poeteka" ishte kryesisht e re, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe autorët e vjetër. Një homazh i është kushtuar "Mësuesit të Popullit", Kristaq Shtëmbari, si dhe autorit Leonidha Prifti, të ndarë nga jeta vetëm pak kohë më parë. Përveç vargjeve të përcjella nga poetët pjesëmarrës, për herë të parë në këtë aktivitet u sollën edhe vargje të përkthyera nga klasikët rusë, si dhe iluministët italianë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›