E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjen 40 kg heroinë e kokainë

 

Trazhgim Sokolaj

Një sasi e konsiderueshme droge u asgjësua dje me djegie në afërsi të Fushës së Mbeturinave në Sharrë të Tiranës. Lënda narkotike me peshë të përgjithshme rreth 40 kilogramë u dogj mbi bazën e një urdhri të Gjykatës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas përfundimit të proceseve gjyqësore, që kishin të bënin me personat të cilëve u është kapur droga. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit, thanë se një komision me përfaqësues të Gjykatës e Prokurorisë së Krimeve të Rënda si dhe me zyrtarë të policisë së shtetit, asgjësoi rreth 39 kilogramë lëndë narkotike. Droga, shumica e të cilës ishte heroinë, ishte bllokuar gjatë aksioneve antidrogë të policisë gjatë viteve të fundit. Drejtoria e Policisë së Tiranës, tha se asgjësimi është bërë me djegie, në zonën e Sharrës, pranë Fushës së Mbeturinave. Djegia e lëndës narkotike është bërë në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të nxjerrë nga prokurori përkatës i Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, lënda narkotike ishte mbajtur prej mëse tri vitesh e depozituar në magazinat e provave, ndërsa në përfundim të proceseve gjyqësore, që lidhen me lëndën narkotike në fjalë, është vendosur asgjësimi i saj. Burimet zyrtare konfirmuan se djegia e 28 kilogramëve heroinë, 7 kilogramë kokainë dhe 4 kilogramë lëndën përzierës për drogat e forta, është bërë duke regjistruar gjithçka me fotografi dhe vëzhgime filmike. Kodi i Procedurës penale parashikon asgjësimin e provave pas përfundimit të procesit gjyqësor lidhur me çështjen për të cilën ato janë sekuestruar. Droga e asgjësuar ditën e djeshme mësohet se kishte rreth tri vjet në magazinat e provave të policisë së kryeqytetit. Lënda narkotike bën pjesë në sasitë e para të drogës, që është bllokuar pas krijimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila filloi funksionimin në vitin 2004. Sipas specialistëve dhe ekspertëve të Policisë së Shtetit mësohet se vlera e drogës që u asgjësua dje arrin deri në 1 milion euro referuar çmimeve në tregun e paligjshëm të lëndëve narkotike. Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, pas përfundimit të proceseve, në të cilat lënda narkotike ishte administruar si provë penale, prokuroria, gjykata dhe policia kanë krijuar një komision të posaçëm për kryerjen e asgjësimit. Pas kësaj është zgjedhur vendi ku do të realizohej procesi në mënyrë që ndikimi në ambient të ishte minimal. Gjithçka është verifikuar nga afër me foto dhe filmime duke përfshirë këtu sasinë e drogës së bllokuar dhe shkallën e asgjësimit të saj për t’u siguruar se gjithçka është kryer sipas ligjit.

Asgjësimi i provave të trafikut
Sipas burimeve të prokurorisë, mësohet se personat të cilëve u është bllokuar lënda narkotike e asgjësuar ditën e djeshme, janë dënuar me vendime të formës së prerë nga drejtësia shqiptare. pas finalizimit të proceseve ku droga ka qenë mes provave materiale për akuzat e ngritura, është vendosur edhe djegia e lëndës narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›