E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Thirrjet për rrëzimin e pushtetit me dhunë, alarmante

 ADI SHKEMBIMaxhoranca reagon pas deklaratave të një dite më parë të kreut të PS-së, Edi Rama për të larguar qeverinë përmes protestave. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta i vlerësoi dje deklaratat e kreut të opozitës si shenjë e degradimit politik të PS-së. Duke komentuar rekomandimet e projekt rezolutës së Këshillit të Evropës, kreu i diplomacisë shqiptare tha se përfaqësuesit e PS-së përshëndesin një ditë, dhe ditën tjetër dalin kundër këtyre sugjerimeve konstruktive, të cilat synojnë forcimin e institucioneve demokratike në vend. "Jo vetëm kaq, por deklaratat e djeshme të z.Rama për përmbysjen e pushtetit me dhunë, dhe për përmbysjen e kutive bashkë me Qeverinë janë vërtetë alarmante dhe lënë për të kuptuar degradimin e politikës së partisë më të madhe të opozitës, e cila në një moment kur të gjithë shqiptarët presin dhe kërkojnë bashkëpunim për të shpejtuar ditën e liberalizimit të vizave, kur u kërkohet nga të gjithë shqiptarët por dhe nga partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë që të përfshihen në procesin e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian dhe në procesin e përgatitjes së Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, bëjnë thirrje për t'u kthyer në vitet 90' për të rrëzuar Qeverinë dhe pushtetin me demonstrata dhe përmes rrugës. Por ata harrojnë që Shqipëria tashmë ka një përvojë prej gati dy dekadash në demokraci", theksoi Meta. Sipas ministrit të Jashtëm, Shqipëria nuk mund të krahasohet me vitin 1990 kur asnjë institucion ndërkombëtar nuk ndoqi nga afër proceset zgjedhore. Duke folur për projekt rezolutën e hartuar nga dy raportuesit e Këshillit të Evropës, kreu i diplomacisë shqiptare tha se dokumenti sugjeron një ofertë të propozuar tashmë nga maxhoranca dhe që ka të bëjë me ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. "Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e  28 qershorit është në radhë të parë një kërkesë e vetë Qeverisë dhe mazhorancës, e cila ka bërë publike vullnetin e saj për transparencë të plotë për të hetuar për gjithçka e cila ka të bëjë natyrisht me ato pretendime që janë ngritur nga opozita por që sigurisht nuk cenojnë Kushtetutën dhe nuk cenojnë pavarësinë e Gjykatave. Kështu që maxhoranca dhe Qeveria, kanë bërë të qartë se janë të hapura për t'a krijuar këtë komision, madje dhe për t'i dhënë edhe shumicën në këtë komision opozitës, gjë që nuk është e zakonshme sepse shumica gjithmonë i takon mazhorancës", theksoi ministri i jashtëm. Por sipas Metës ky komision nuk mund të ketë objekt të punës së tij pretendime që bien ndesh me ligjin themeltar të shtetit. I pyetur nëse Presidenti Topi mund të jetë faktor i zgjidhjes së krizës politike në vend, ministri i Jashtëm vlerësoi rolin dhe mesazhet që ka dhënë kreu i shtetit gjatë kësaj kohe. "Absolutisht Presidenti i Republikës është një figurë shumë e respektuar nga të gjithë, në veçanti edhe nga LSI-ja dhe nga unë personalisht. Mendoj se përpjekjet e tij dhe mesazhet e tij kanë qenë shumë të qarta dhe konstruktive, kanë qenë në një linjë edhe me pozicionin e tij kushtetues, por dhe në një linjë me ato të faktorit ndërkombëtar", tha Meta. "Ka ardhur koha që Kryetari i PS-së të heqë dorë nga thirrjet e dhunshme për të përmbysur Qeverinë me dhunë. Ka ardhur koha që të reflektojë dhe të dëgjojë mesazhet e ndërkombëtarëve por edhe mesazhet e Qeverisë, mazhorancës, madje do të thosha edhe mesazhet e shumë zërave të njohur brenda PS-së apo në opozitë që janë kundër kësaj sjellje apo që në fund të fundit është një sjellje shumë e vjetër, e lënë tashmë pas nga Shqipëria dhe shqiptarët", tha kreu i diplomacisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›