E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë, Rama: Protestat nuk ndalen më

 BLEDAR HOTIKryetari i PS-së, Edi Rama nga Shkodra përsërit kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, duke hapur kutitë e votimit, e në rast se nuk plotësohet një kusht i tillë do të rinisin protestat në rrugë. "Qeveria t'i hapë rrugë demokracisë dhe hetimit të zgjedhjeve, në të kundërt protestat tona nuk do të ndalen më", tha Rama. Duke nënvizuar edhe njëherë ato që selia rozë i konsideron arsye të mjaftueshme për largimin nga pushteti të koalicionit që sot qeveris vendin, kryesocialisti Rama deklaroi se "ishte papërgjegjshmëria e Qeverisë, ajo që shkaktoi edhe katastrofën e radhës për shqiptarët, duke përmbytur veriperëndimin e vendit. "Nga Dajçi, bashkitë tona po sjellin përditë ndihma në Shkodër. Sot ne jemi së bashku me përfaqësues të Emergjencave Civile të Bashkisë së Selanikut, për të shpërndarë një sasi ndihmash, ndërkohë që një sasi akoma më e madhe është duke u trajtuar për ditët në vijim. Ky është solidariteti ynë, kjo është politika, kjo është rruga jonë: të ndihmojmë njerëzit pavarësisht bindjeve dhe pavarësisht kahjeve të tyre dhe njëkohësisht të bëjmë një betejë pa kompromis me këtë Qeveri, që njerëzit i mbyti, që shtetin po e rrënon, që ekonominë po e fundos dhe që duhet me patjetër t'i hapë rrugë demokracisë, duke i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve", theksoi Rama. Për kryesocialistin, ngjarja e ndodhur në zonën e Shkodrës është një motiv më shumë për të mos hequr dorë nga linja politike që selia rozë ka ndjekur që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Dy ditë më parë, Rama deklaroi se nuk do të ndalte protestat pa u hapur kutitë e votimit të 28 qershorit, duke theksuar deri në rivendosjen e demokracisë. Reagimi i PDQëndrimit të liderit të PS-së i është kundërpërgjigjur dhe Partia Demokratike. "PD deklaron edhe një herë, se ka vlerësuar dhe vlerëson kërkesën e drejtë të rezolutës së KE për hyrjen e opozitës në Parlament dhe ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet, ofertë të cilën kjo parti e ka përsëritur me dhjetëra herë gjatë këtyre muajve, kurse atyre që nisur nga doktrina e revolucionit permanent apo nga trashëgimia e tyre historike e biologjike kërcënojnë me dhunë dhe përdorimin e saj, PD u deklaron se ligji, ligji dhe vetëm ligji dhe mbrojtja e institucioneve kushtetuese nga cilido është qëndrimi i saj i prerë", deklaroi zëdhënësja e PD-së, Mëhilli. Sipas saj "nëse z.Rama, ftesat e përsëritura për dialog për Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar zgjedhjet i merr si një provë dobësie dhe si një mundësi për të lëshuar kërcënime bajate njëra mbas tjetrës, na duhet t'i rikujtojmë se rendi kushtetues dhe shteti ligjor janë sot më të fortë se kurrë në historinë e tyre".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›