E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet Ambasada Sllovake në Tiranë

 Zv.kryeministri Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak morën pjesë dje në hapjen e ambasadës sllovake në vendin tonë. Kreu i diplomacisë sllovake tha se "Kjo është me të vërtetë në ditë historike për Sllovakinë dhe për Shqipërinë. Ne sot po rrisim prezencën tonë diplomatike duke hapur zyrtarisht Ambasadën tonë në vendin tuaj. Ne jemi dy vende mike me një të kaluar të ngjashme dhe një të ardhme të ngjashme". Sipas tij "Pres që Ambasada jonë do të shërbejë si në urë lidhëse midis dy vendeve dhe popujve tanë. Pres që shqiptarët të mësojnë më tepër mbi vendin tim dhe sukseset që kemi arritur si dhe qytetarët tanë do të dinë më tepër rreth potencialeve të mëdha që ju ofroni, sidomos në turizëm". Ndërsa ministri i jashtëm Meta vlerësoi hapjen e ambasadës sllovake në vendin tonë. "Mendoj që është një hap historik në marrëdhëniet e reja midis Sllovakisë dhe Shqipërisë. Brenda vitit, edhe ne do të hapim Ambasadën tonë në Bratislavë. Viti 2010 do të jetë viti i hapjes së shumë Ambasadave të vendeve të tjera në Tiranë", tha Meta. Sipas tij "Unë dua t'a siguroj z. Lajçak që brenda këtij viti do të hapim Ambasadën tonë në Bratislavë, por gjithashtu edhe në Bosnje-Hercegovinë pasi i kushtojmë shumë rëndësi marrëdhënieve dhe perspektivës të këtij vendi për të gjithë rajonin. Jam i sigurt që ky lajm e gëzon z. Lajçak sepse ai ka një kontribut të veçantë në sfidat me të cilat është ndeshur Bosnja. Dhe jam i bindur që këto marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike dhe politike do të reflektojnë shumë shpejt në një rritje të shpejtë të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe në fusha të tjera", theksoi kreu i diplomacisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›