E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Pushteti vjen nga vota jo nga rruga

 "Vendimin për bojkotin e merr grupi i deputetëve, jo kryetari" Deputeti socialist Ben Blushi, në përgjigje të deklaratave të Edi Ramës, tha dje në emisionin "Ora e debatit" të gazetarit Alfred Peza, se pushteti merret me vota dhe jo përmes rrugës. "Brenda PS ka shumë që mendojnë se në pushtet shkohet me vota. Edi Rama po thotë qartë se rruga për në pushtet nuk kalon nga vota, por nga rruga, kjo është pika ku ne ndahemi nga zoti Rama. Kjo nuk është vetëm në aspektin filozofik, por dhe atë legal. Ne jetojmë në një shoqëri demokratike, pluraliste, PS është një parti politike që konkurron dhe kërkon vota për të fituar. Në sistemin që kemi, e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet është përmes votës", u shpreh Blushi. Sipas tij, Rama me qëndrimin e tij kokëfortë po e mban peng PS. "Unë do të përpiqem që deri në minutën e fundit PS të mos vuajë nga kjo kokëfortësi e Edi Ramës, por sigurisht nëse kokëfortësia e Edi Ramës do ta marrë peng PS-në, kjo është një arsye më shumë për të marrë vendime të ndryshe, që nuk e ndajnë PS por e kthejnë në rrugën e fitoreve legjitime e cila është shumë më e lehtë duke shkuar në Parlament", tha Blushi. Deputeti socialist, duke shprehur dhe qëndrimin e grupit të deputetëve për mendim ndryshe, tha se vendimin për vazhdimin apo ndërprerjen e bojkotit të socialistëve duhet ta marrë mbledhja e grupit të deputetëve. "Vendimi për bojkotin nuk varet nga Edi Rama. Vendimi i bojkotit është një vendim i marrë në fillim të shtatorit dhe duhet të jetë një vendim i grupit të deputetëve socialistë, nëse do ta vazhdojë përtej marsit apo do ta ndërpresë atë. Këtë gjë e kam kërkuar në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, që grupi parlamentar të mblidhet, të konsultojë kontekstin politik në të cilin jemi futur, të përcaktojë se cili do të jetë aksioni politik për vitin 2010, duke marrë parasysh se në gjashtë muajt e fundit, PS ka humbur jo vetëm zgjedhjet, por më shumë se kaq ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve, humbi mundësinë për të hapur kutitë, humbi mundësinë për të hetuar zgjedhjet jashtë Parlamentit dhe e vetmja rrugë mbetet që Partia socialiste të kthehet në një parti legale", tha Blushi. a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›