E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë nga sulmet kundër koptëve në Evropë

Nga Express më 04 janar 2011 në ora 11:52

Pas një sulmi të përgjakshëm kundër të krishterëve koptë në Aleksandri të Egjiptit, në Gjermani, Austri dhe Francë është shtuar frika nga mundësia e sulmeve ndaj koptëve. Zyra Federale e Kriminalistikës në Gjermani ka lëshuar një paralajmërim në internet, ku kërkohet kujdes për shkak të rrezikut. Ministria e Brendshme austriake foli për një lloj "liste të vdekjes" me emrat e 150 koptëve nga vende të ndryshme.

Njësia speciale anti-terror e Francës ka nisur hetimet. Ekziston frika që sulmet të kryhen me shtatë janar, në kohën e Krishtlindjeve ortodokse. Në Aleksandri një atentator vetëvrasës vrau 21 persona në natën e Vitit të Ri. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle shpreson shpjegimin e shpejtë të sfondit të këtij sulmi.

"Kam përshtypjen që qeveria egjiptiane e di shumë mirë se kemi të bëjmë me një akt barbar. Ajo po punon me një intensitet të lartë jo vetëm për mbrojtjen e minoriteteve fetare, por edhe për shpjegimin e sfondit të sulmeve të këtilla", tha ministri i Jashtëm gjerman.

Ndërkohë, tetë persona po gjykohen në Paris nën akuzat për vjedhje të armatosur dhe financimin e ekstremizmit islamik.

Tetë të pandehurit akuzohen për një vjedhje të armatosur dhe një përpjekje tjetër në zonën e Parisit në vitin 2004 dhe 2005. Thuhet se sulmet kishin për qëllim të financonin islamizmin radikal, kryesisht në Irak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›