Muri grek
Greqia planifikon që përgjatë kufirit të saj me Turqinë të ndërtojë një mur të gjatë 206 kilometra. Qëllimi i ndërtimit të murit thuhet të jetë parandalimi i kalimeve ilegale të imigrantëve.
Projekti u bë publik nga ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Hristos Papucis, i cili pohoi se problemet me imigrantë ilegalë dhe fluksi i tyre drejt BE’së, e kanë detyruar Greqinë që të shqyrtojë realizimin e një gjëje të tillë.
“Shoqërisë greke iu ka mbushur kupa sa i përket pranimit të imigrantëve ilegalë. E, Greqia këtë më s’mund ta përballojë”, tha Papucis.
Kufiri greko-turk është pika kryqore e hyrjes masive të imigrantëve ilegalë nga Afganistani, Algjeria, Pakistani dhe Somalia. Për shkak të shpeshtimit të kalimeve ilegale, dhe me qëllim të parandalimi të imigracionin ilegal Athina zyrtare vitin e kaluar kërkoi ndihmë nga patrullat policore evropiane Frontex External. Mbi 200 agjentë të Frontex u angazhuan vitin e kaluar nëpër pikat kufitare me Turqinë, dhe si rrjedhojë u arrestua një numër i madh imigrantësh ilegalë - gjegjësisht nga 140 arrestime në ditë.
Ministri Papucis theksoi se bashkëpunimi me shtetet tjera të BE’së është në nivel, ndërkaq muri që do të ndërtohet do të jetë sikur ai ndërmjet SHBBA dhe Meksikës.
Mbi 80 përqind e imigrantëve ilegalë në BE hyjnë nëpërmjet Greqisë, ku aktualisht jetojnë mbi 300,000 imigrantë ilegalë. Nga janari e deri në nëntor të vitit të kaluar vetëm brenda një zone prej 12 kilometrash janë kapur 32,000 imigrantë ilegalë.
Imigrantët e kapur sistemohen nëpër kampe imigrantësh, në të cilat mbretërojnë kushte katastrofale.
Amnesty International kundër murit
Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Amnesty International (AI) ka kritikuar planin e Greqisë për mbrojtjen e kufirit të saj tokësor me Turqinë përmes një muri mbrojtës. Sipas asaj që Wolfgang Grenz, nga AI, i tha gazetës gjermane ‘Frankurter Rundshau’, me këtë lëvizje Qeveria e Athinës shkelë parimet e të drejtave të njeriut të Bashkimit Evropian.
Sipas tij, BE në këtë mënyrë do të ngjajë në një ishull të izoluar të të pasurve kundrejt njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të përndjekjeve ose varfërisë ekstreme.
Muret e ngjashme nëpër botë
Departamenti për Mbrojtje Kombëtare i SHBA ka ndërtuar një mur 554 kilometra përgjatë kufirit me Meksikën. Muri përshin zonat e shteteve New Mexico, Arizona dhe California, ndërkohë që një pjesë e tij po vazhdon të ndërtohet edhe në Texas.
Në Bregun Perëndimor Izraeli ka ndërtuar një mur të ngjashëm, i cili përbëhet nga betoni dhe hekuri. Sqarimi zyrtar izraelit është se muri shërben për mbrojtje nga sulmet e militantëve palestinez.