E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia e Holbrookut

Pranimi i kufijve të forcës ushtarake, pa hequr dorë nga e drejta për ta shfrytëzuar atë, do të ishte hapi i parë për të rikthyer besimin e botës në fuqinë e Amerikës. “Do të kemi Bosnje të tjera në jetën tonë”, shkroi Holbrooke në vitin 1998, duke parashikuar se vullneti amerikan do të përballet me sfida edhe në të ardhmen. Si atëherë, ashtu edhe tani, lufta e kufizuar është një mjet i dobishëm në përballjen me këto sfida. Nga Express më 04 janar 2011 në ora 11:31

Vdekja e papritur, muajin e kaluar, e Richard Holbrookut ka nxjerrë sërish në sipërfaqe të arriturën e tij më të madhe: marrëveshjen paqësore të Deytonit në vitin 1995, me të cilën iu dha fund luftës katërvjeçare në Bosnje. Për disa nga adhuruesit e Holbrookut, kjo kryevepër diplomatike- si dhe kërkesat e fundit e Holbrookut, në momentin kur ishte në shtratin e vdekjes, me ç’rast u tha mjekëve të tij që të gjejnë rrugë për t’i dhënë fund luftës në Afganistan- janë një qortim ndaj atyre, të cilët lartësojnë virtytet e fuqisë ushtarake të SHBA-së.

U nevojiten negociata, për të heshtur armët në Bosnje; diç e ngjashme, mendohet tani, do të nevojitet për t’i dhënë fund kryengritjes në Afganistan. “Holbrooke, pëllumbi”, shkroi revista Foreign Policy, editor i së cilës ishte dikur Holbrooke.

Bashkëshortja e Holbrookut, Kati Marton, gjatë varrimit të bashkëshortit deklaroi para të tubuarve se “mënyra më e mirë për të nderuar atë, është që të gjithë të angazhohen për paqe”.

Ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se Holbrooke do të mbështeste këtë qëndrim dhe nuk mund të mohohet fakti se Marrëveshja e Daytonit është suksesi më i madh i diplomacisë amerikane, në periudhën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Por aftësitë diplomatike të Holbrookut nuk do të kishin ndalur fushatën e spastrimeve etnike, të kryesuar nga Slobodan Milosheviq, pa fuqinë bindëse të bombardimeve të NATO-s.

Në Ballkan, administrata e Bill Clintonit dëshmoi se shfrytëzimi i kufizuar i fuqisë ushtarake, në shërbim të synimeve modeste dhe të qarta- ndaljen e vrasjeve të myslimanëve të Bosnjës dhe detyrimin e palëve që të ulen në tavolinën e negociatave- mund t’u shërbejë interesave strategjike dhe morale të SHBA-së. Ky model i udhëheqjes së luftës në pjesën më të madhe u braktis nga administrata e George Bushit. Por tani do të ishte një moment i përshtatshëm që kjo strategji të rivlerësohet sërish nga Barack Obama. Në të vërtetë, leksioni më i rëndësishëm i punës së Holbrookut në Ballkan ndoshta ka të bëjë më pak me bërjen e paqes, sesa ka të bëjë me udhëheqje të luftës.
Vendimi amerikan për të ndërmarrë sulme ajrore në Bosnje, erdhi pas ngurrimit disavjeçar të Perëndimit. Holbrook qysh në fillim kishte kërkuar që të lejohet armatosja e myslimanëve në Bosnje, përderisa pozicionet e serbëve bombardoheshin nga ajri, por kërkesa e tij u përball me skepticizmin e liberalëve brenda administratës së Clintonit.

Holbrook, i cili si zyrtar i ri në shërbimin e jashtëm kishte kundërshtuar bombardimin e Vietnamit të Veriut në vitet ‘60, ishte i mendimit se “serbët e Bosnjës ishin të trajnuar dobët dhe ishin kriminelë, të cilët nuk do të ngriheshin kundër bombardimeve të NATO-s, siç kishin bërë viet-kongët”.
Me shtimin e krimeve të kryera nga serbët në verën e vitit 1995, administrata e Clintonit më në fund u bind se duhej ndërhyrë. Aeroplanët e NATO-s filluan të sulmojnë pozicionet e serbëve në shtator. Brenda gjashtë muajve, lufta përfundoi.

Katër vjet më vonë, SHBA-ja shfrytëzoi sërish qasjen e “luftës së kufizuar”, për të detyruar Milosheviqin që të tërhiqet nga Kosova.

Por edhe përkundër këtyre sukseseve, lufta e kufizuar kur nuk u përqafua në tërësi. Fajkonjtë ankoheshin se sulmet ajrore mund të dënojnë agresorët si Milosheviqi, por se nuk do të jenë në gjendje t’i nënshtrojnë ata. Pëllumbat tërhoqën vërejtjen se suksesi i luftërave në Ballkan mund të bindë presidentët e ardhshëm që të fillojnë intervenime të armatosura në të gjitha anët e botës.

Pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, administrata e Bushit hoqi dorë nga lufta e kufizuar, në favor të strategjisë më të shtrenjtë të përmbysjes së regjimeve dhe të ndërtimit të shtetit në Afganistan dhe Irak. Paaftësia jonë për të paqësuar këto dy shtete, mundësoi daljen në sipërfaqe të një forme të re të luftës: luftës kundër kryengritjes, e cila kërkon angazhimin e një numri të madh të ushtarëve amerikanë në terren, për të luftuar kundër kryengritësve, për të mbrojtur civilët dhe për të trajnuar forcat lokale të sigurisë.
Qasja kundër kryengritjes ndihmoi që të shmanget humbja e SHBA-së në Irak, e ndoshta kështu do të jetë edhe në Afganistan.

Gjatë muajve të kaluar, sulmet me fluturake pa pilot dhe operacionet e njësive speciale në Pakistan kanë ndihmuar më shumë që të arrihen synimet strategjike amerikane në këtë vend- degradimit të Al Qaidës- sesa që do të ndihmojnë 100 mijë ushtarët e stacionuar në Afganistan. Lufta e kufizuar mund të jetë opsioni më pak i keq, gjatë përballjes së mundshme me programin bërthamor të Iranit: ngecja diplomatike në Lindjen e Mesme nënkupton se çfarëdo sulmi kundër Teheranit më shumë do t’i ngjasojë luftës kundër Milosheviqit, sesa asaj kundër Saddam Husseinit.

Dhe për të parandaluar gjenocidin në vendet si Sudani, nga Obama mund të kërkohet që të kërcënohet me atë formë të intervenimit ushtarak, siç bëri Clintoni në Ballkan- edhe përkundër faktit se përdorimi i forcave tokësore në misionet e këtilla nuk është opsion.

Kjo është një gjë e mirë. Sipas definicionit, luftërat e kufizuara mund të arrijnë vetëm synime të kufizuara: sulmet me fluturake pa pilot mund të dëmtojnë Al Qaidën në Pakistan, por nuk do të ndihmojnë për të çliruar femrat në Pakistan; sulmi kundër objekteve bërthamore në Iran mund të shtyjë marshin e Teheranit drejt bombës, por nuk do ta ndalë atë. Pranimi i kufijve të forcës ushtarake, pa hequr dorë nga e drejta për ta shfrytëzuar atë, do të ishte hapi i parë për të rikthyer besimin e botës në fuqinë e Amerikës. “Do të kemi Bosnje të tjera në jetën tonë”, shkroi Holbrooke në vitin 1998, duke parashikuar se vullneti amerikan do të përballet me sfida edhe në të ardhmen. Si atëherë, ashtu edhe tani, lufta e kufizuar është një mjet i dobishëm në përballjen me këto sfida. (Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›