E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autopsia e së djathtës inekzistente shqiptare



Nga Urim KOLA

Gjendja aktuale e së djathtës politike shqiptare, është produkt fundor i ekzistencës në mbijetesë dhe i zhvillimit të saj filogjenetik të deformuar, qysh nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Në kohët më të vjetra, e djathta shqiptare u formua dhe funksiononte si shtresim shoqëror i organizuar në trajtën e elitës qeverisëse pa konkurrencë politike dhe e mbështetur nga pushtetet politike vendase e të huaja, pa struktura të mirëfillta politike (parti e grupime politike), sikurse në Greqinë dhe Romën e vjetër. E tillë ajo mbijetoi e ngurtësuar në shekuj e mijëvjeçarë, si pjesë e pushteteve qeverisëse, pavarësisht sistemeve të skllavopronarisë dhe feudalizmit, në laryshinë e niveleve të aristokracisë dhe në vartësi të titujve fisnikërorë, pronësisë e arealeve politiko-administrativë respektivë (principata-princër; dukate-dukë; konte-kontë, etj..), deri kur u zëvendësua gradualisht nga elita ushtarako-administrative e përzgjedhur dhe e vënë në shërbim të Portës së Lartë. Nga pikëpamja pronësore dhe nga raportet e saj me mënyrat dhe mjetet e prodhimit, e djathta shqiptare përshkoi të njëjtën trajektore të zhvillimit historik dhe shoqëror sikurse edhe simotrat e saj evropiane dhe më gjerë, ndërsa në rrafshin politik, në mesjetën e vonë ajo vuajti mungesën e organizimit politik partiak e parlamentar të vendeve evropiane, për shkak të sundimit perandorak otoman. Në rrafshin e pronësisë mbi mjetet e prodhimit, tokës, bagëtive, zejeve dhe pronë-punishteve artizanale, për shkak të organizimit fisnor, ndikimit kanunor të 5 kanuneve të famshme në rregullimin e marrëdhënieve shoqërore, e djathta shqiptare në mesjetën e vonë e deri në vitin 1912, ndonëse në faza embrionale, funksiononte dhe ekzistonte e mbështetur në katër shtresa: shtresa e lartë e funksionarëve administrativo-ushtarakë (pashallarëve-gjeneralë dhe pashallëqeve me prona të mëdha të dhuruara nga Padishahu-pronar i trojeve të të gjithë Perandorisë, apo të blera e trashëguara nga pashallarët-“guvernatorë” shqiptarë); shtresa e borgjezisë tregtare e përqendruar nëpër qytetet-limane dhe ato në thellësi të vendit; shtresa e zejtarëve që i prodhonin dhe i tregtonin vetë prodhimet e tyre; dhe shtresa e bujqve e blegtorëve, e përqendruar kryesisht në fshatra, që prodhonin për vete dhe për treg.
Këto shtresa që përbënin të djathtën shqiptare si strukturë shoqërore, pavarësisht madhësisë së mjeteve të prodhimit dhe peshës specifike në totalin e përgjithshëm të prodhimit dhe shpërndarjes, në raport me popullsinë përbënin një shumicë pothuajse absolute, si dhe fondin e taksapaguesve ndaj supershtetit perandorak, çka e dëshmon dokumentacioni arkivor i kohës. Shtresa e vetme e “majtë” e shoqërisë shqiptare përbëhej nga shumë pak fshatarë pa tokë, që kryesisht ishin qiramarrës-çifçinj me të “dhjetë” të tokës dhe bagëtive si mjete prodhimi në fshat, apo si çirakë pranë zejtarëve dhe të punësuar pranë tregtarëve, në fshatra e qytete. Gjatë mesjetës së vonë, të vetmet forma të organizimit politiko-ushtarak të aristokracisë dhe parisë shqiptare, ishin kuvendet e “Besëlidhjes së Lezhës” dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryesisht në mbrojtje të vendit.
Zanafilla
Pas shpalljes së Pavarësisë dhe në fillimet e Luftës Parë Botërore, struktura e parë politike që prishi rregullin e organizimit fisnor, klanor dhe pushtetor të deriatëhershëm, në kushtet e reja të rrezikut të copëtimit të vendit, ishte “Krahu Kombëtar”, pararendës i Partisë Popullore, komitet i fshehtë ky i krijuar në Durrës në verën e vitit 1914, që njihet edhe me emrin “Partia Nacionale”, e që funksionoi si strukturë politike e përfaqësimit të vendit në marrëdhëniet me fuqitë ndërluftuese dhe si strukturë pushtetore lokale në mbarë Shqipërinë e pushtuar të asaj kohe.
“Krahu kombëtar” si strukturë politike e mirëfilltë dhe pothuajse e vetmja, organizoi Kongresin e Lushnjes në vitin 1920 dhe mori pushtetin qeverisës, gjatë të cilit ruajti marrëdhëniet gjysmëfeudale të prodhimit dhe raportet pronësore ekzistuese, por kreu reforma të shumta të majta, që kishin si qëllim përmirësimin e jetës së popullit në përgjithësi dhe të të varfërve në veçanti. Në harkun e viteve 1921-1924, me fillimin e jetës pluraliste pas zgjedhjeve të para parlamentare në prill 1921, nga shumica e “Krahut Kombëtar” u krijua “Partia Popullore”, nga e cila u shkëput si fraksion politik më vete “Partia Kushtetuese”. Shumë shpejt, të pakënaqurit me poste krijuan edhe grupimin politik rival “Bashkimi i Shenjtë”, nga i cili u shkëput fraksioni politik me emrin “Grupi Indipendent”.
Dy vjet më vonë nga “Partia Popullore” u larguan shumë nga kundërshtarët e A. Zogut, që formuan “Partinë Përparimtare”, në shtator 1923. Kjo parti për nga origjina dhe pasuria e eksponentëve drejtues përfshinte latifondistë të mëdhenj tokash, si dhe elementët antizogistë që vinin nga Komiteti “Mbrojtja e Kosovës”, të cilët pas qershorit 1924 morën pushtetin për 6 muaj. Fundi i vitit 1924 shënoi edhe fshirjen nga skena, ligji dhe harta politike, e të gjitha partive politike brenda vendit, bashkë me pluralizmin politik.
Pronwsia
Por pavarësisht këtyre ndryshimeve në strukturën politiko-partiake dhe brenda gjirit të vetë klasës politike, kjo e fundit ruajti në tërësi përbërjen nga pinjollë përfaqësues të së djathtës klasike shqiptare, e ku edhe bartësit e rrallë të ideve të majta ishin të djathtë për nga origjina shoqërore. Gjatë viteve 1920-1939, pushtetet e djathta politike ruajtën të paprekura raportet pronësore të trashëguara dhe derivatet e tyre, (marrëdhëniet në prodhim dhe forcat prodhuese), të cilat u zhvilluan dhe u transformuan për shkak të politikave liberale dhe reformave të majta socialdemokrate, ndër të cilat ishte edhe reforma e dështuar agrare e viteve 1930-31, e cila u kundërshtua ashpërsisht nga latifondistët e tokave. Në këtë periudhë spikat trendi variabël i reformave pronësore, të cilat nga një anë fuqizuan shtresën e pronarëve të mesëm dhe tregtarëve, ndërsa nga ana tjetër stimuluan krijimin e kapitalit të madh vendas e të huaj, nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare me truste të huaja, sikurse Anglo-persian Oil company, SVEA, AIPA, etj..
Në kundërti me strukturën tejet të djathtë të klasës politike e pushtetore, në këtë periudhë u krijuan dhe ndikuan fuqimisht në jetën politiko-shoqërore rryma politike dhe mendimi majtiste, nën ndikimin e ideve bolshevike, naziste e fashiste, bartës të të cilave ishin përfaqësues nga i gjithë spektri klasor shqiptar, nga e djathta në të mëngjër. Mjaft bartës të pikëpamjeve bolshevike luajtën rol vendimtar në zhvillimet e periudhës dhjetor 1921-mars 1922 dhe qershor-dhjetor 1924, si dhe në rebelimet fashistoide të periudhës qershor-dhjetor 1921, mars 1923 e deri në mesvitin 1937, të organizuara dhe drejtuara nga ithtarë të “diktaturave të ndritura”.
Lufta
Gjatë Luftës Dytë Botërore, ndonëse u ruajtën dhe u konsoliduan marrëdhëniet kapitaliste në prodhim dhe shpërndarje, riorganizimi politik me synime pushtetore prodhoi një parti ultramajtiste, PKSH-në, një parti e djathtë PLL-në, si dhe tre partitë socialdemokrate për nga programi: Partinë Fashiste Shqiptare, PSD-në e Musine Kokalarit dhe BK (i përbërë ky qysh gjatë LDB nga 5 fraksione, që në mërgim e ndanë BK në dy parti bijëza, me në krye respektivisht Mit’hat Frashërin-lider të “Ballit Kombëtar” dhe Hasan Dostin-lider të “Ballit Kombëtar Agrar”.
Post lufta
Pas përfundimit të luftës, në planin e marrëdhënieve të pronësisë ndodhën ndryshime drastike, që u realizuan nëpërmjet reformës së përkohshme agrare, e cila u shoqërua me shpronësimin total të latifondistëve dhe tregtarëve e fabrikanëve të pasur, deri në “likuidimin e kulakëve dhe klasës së borgjezëve”, reforma këto ekstremisht të majta. Pas pak viteve, krahas pronësimit të fshatarëve pa tokë (reformë socialdemokrate me prona të së djathtës), u stimulua edhe kolektivizimi në bujqësi, me fillesë krijimin e kooperativës së parë bujqësore në Krutje të Lushnjes në vitin 1946, (reformë kjo totalisht e majtë, e kryer me prona të latifondistëve të djathtë dhe fshatarëve të mesëm dhe me pak tokë). Ndërsa nëpër qytete vijoi mënyra private e prodhimit dhe e shpërndarjes së artizanëve dhe zanatçinjve (e djathtë), krahas asaj shtetërore, (e majtë), që zgjati deri në vitin 1960, kur u shpall “triumfi i pronës shoqërore dhe ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit”. Më tej reformat majtiste në qytete vijuan me krijimin e kooperativave të artizanatit si bashkim vullnetar i zejtarëve dhe privatëve, për t’i shkrirë përfundimisht ato në fund të dekadës, krahas përfundimit të kolektivizimit në bujqësi, në vitin 1967. Ndërkohë nëpër fshatra, kolektivizimi i pjesshëm i kooperativave bujqësore si “pronë e grupit” dhe totalisht i NB-ve si “pronë shtetërore (shoqërore)”, u orientua drejt rivalizimit dhe ngushtimit gradual të produktit të kopështijeve dhe bagëtive private, deri në asgjësimin e tyre në vitin 1974. Kjo periudhë shënoi triumfin total të pronës “shoqërore” mbi pronën private, që “stimulonte çdo orë dhe çdo çast psikozën dhe prodhimin kapitalist, antisocialist...”.
Sistemi politik
Ndërsa në planin politik, pas 29 nëntorit 1944 e deri në mesvitin 1947, jo vetëm që nuk u lejua krijimi i partive politike përveç asaj komuniste, por u asgjësua me mjete të dhunshme edhe opozita politike e përfaqësuesve që në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 konkurruan jashtë përbërjes së “Frontit demokratik”, pas të cilit fshihej PKSH, e cila në kushtetutën e vitit 1946 u shpall forca e vetme politike udhëheqëse e shoqërisë. Likuidimi fizik i organizuar i elitës politike antikomuniste brenda Shqipërisë dhe “vetëlikujdimi biologjik” i eksponentëve më të shquar politikë të partive të traditës historike BK dhe PLL në mërgim, eliminoi bartësit opozitarë të së djathtës dhe socialdemokracisë historike shqiptare. Pas ligjërimit të pluralizmit politik, në skenën politike u shfaqën vetëm partitë socialdemokrate e të qendrës së djathtë brendashqiptare: PS, PSD, dhe PD e PR, që konkurruan në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe të 22 marsit 1992, por nuk u ligjëruan dhe për pasojë nuk morën pjesë në garën zgjedhore partitë antikomuniste të traditës: PB dhe PLL. Më vonë këto dy parti ndonëse u ligjëruan, jo vetëm që nuk sollën risi programore përtej socialdemokracisë dhe liberaldemokracisë perëndimore dhe idealeve të prijësve të tyre të elitës së vjetër, por nuk mundën të mbrojnë e të ngjizin në elektorat as programe dhe as lidershipe kredibël, me profil të lartë politik dhe format të konsiderueshëm intelektual. Për pasojë vendi provoi mbi shpinë reforma të përmbysura pronësore nëpërmjet ligjit 7501, që injoronte pronarët legjitimë..., reforma këto të habitshme për nga kahja e pronësimit vetëm të gjysmës së shqiptarëve me tokë, troje, mjete prodhimi dhe banesa.
Pluralizimi
Në tërësi, pas vitit 1990 reformat pronësore, shoqërore, ligjore e administrative kanë qenë dhe mbeten të tipit socialdemokrat dhe shpesh herë me trend të djathtë, teksa u bazuan në stimulimin ekonomik të klientelës politike për kah kapitali i madh, vendas e i huaj, në formësimin e të cilit kontributin më krucial e kanë dhënë privatizimet strategjike. Aktualisht kapitali vendas përfaqësohet nga tre grupime kryesore: kapitali i madh me fuqi ekonomike grosiste në rritje dhe me origjinë kryesisht nga shtresat e dikurshme të varfra dhe fare pak nga ato të mesme; nga kapitali i mesëm me origjinë shoqërore mikste, dhe nga kapitali i vogël apo shtresat pa pronë, (përveç banesave), pa punë dhe mjete jetese (futen këtu kryesisht ish pronarët e mesëm e latifondistë të shpronësuar nga diktatura), si dhe nga shtresat e margjinalizuara nga diktatura e demokracia bashkë, që janë kryesisht pakicat me ngjyrë, që në shumicën e rasteve nuk disponojnë as prona, as banesa, as mjete prodhimi dhe as mjete jetese. Në këto kushte është krijuar një situatë politike absurde, me interferenca programore të frikshme, aq sa programet e partive ngjajnë si dy pika ujë, (përveç laryshisë që përfaqëson paksa alternativa mbretërore e PLL). Kjo ka shkaktuar paradoksin doktrinar e programor, ku kemi parti që nuk kanë substrate elektorale respektive të cilave t’u drejtohen dhe t’i përfaqëësojnë politikisht. I vetmi substrat elektoral, por jo i mjaftueshëm, është ai logjik i PLL, si dhe ai i BK (i ndarë sërish në dy partiza). Por që mendohet se mund të mbështesë këto parti të traditës thjesht për shkak të origjinës, që shërbeu gjatë diktaturës edhe si pretekst persekutimi dhe diferencimi politik të pinjollëve të tyre për disa breza. Kjo strukturë amorfe e shoqërisë në sensin e orientimit dhe partiprive politike, është edhe arsyeja e luhatjes elektorale midis dy blloqeve rivale, çka për shkak të dështimit politik e qeverisës dhe mungesës së diferencave programore brenda segmentit spektral “qendër e majtë-qendër e djathtë”, ka stimuluar rritjen e ndjeshme dhe në shifra të frikshme të elektoratit indiferent dhe abstenues në zgjedhjet.
E djathta tradicionale
Nga kjo shkartisje e formacioneve politike dhe nga konfuzioni e difuzioni programor, më së shumti janë dëmtuar partitë e djathta të traditës historike, BK dhe PLL, të cilat nga halli janë shndërruar në rimorkio të partisë pa ngjyrë dhe habitshëm e mbetur në dimensione elektorale të mëdha, PD-së, e cila në krahasim me simotrat e vendeve ish komuniste vazhdon të ruajë kuota politike të larta! Sjellja politike e BK dhe PLL, krahas trajektores satelitore rreth PD, bëhet edhe më groteske sa kohë që ato nuk shpërfaqin asnjë qëndrim të profilit “nacionalist” të pretenduar prej tyre në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare, apo në qëndrimin ndaj pronarëve dhe të përndjekurve në rrafshin social, teksa heshtin apo aprovojnë në surdinë pasojat e ligjit 7501, nga i cili preken elektoratet e tyre. Madje ato heshtin edhe kur socialdemokrati e liberaldemokrati Berisha mbron me ngulm ligjin 7501 dhe pasojat e tij, apo ligjin për “Legalizimet”, teksa shprehet se nuk mund të tradhtojë 200 mijë pronarë të rinj në interes të 20 mijë pronarëve të vjetër. Në këtë mishmash marrëdhëniesh dhe raportesh pronësore, politike e zgjedhore, partitë e traditës historike ndjehen të trysnuara edhe nga parti grupimesh etnike si PBDNJ dhe BDI (partia e çamëve), apo PDM e ish të Përndjekurve dhe PAA e Xhuvelit, të cilat tërthorazi i shtyjnë BK dhe PLL të kërkojnë me ngulm vendin e “merituar” në radhën e “vagonëve” politikë që tërheq lokomotiva e PD, për të mos humbur shanset për pushtet dhe ofiqe koalicionesh qeverisëse. Lidershipet e BK dhe PLL tashmë kanë humbur lidhjet politike dhe afiliacionet programore, jo vetëm me partitë e vjetra të së djathtës klasike shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar dhe me pinjollët e tyre të shumëfishuar si potencial njerëzor e elektoral, por edhe me alternativat programore të formësuara nga liderët e tyre historikë, që në kontrast me ta kishin profil të lartë politik. Përqasja e traditës historike dhe e kontributeve apo personazheve politikë si familja mbretërore dhe liderët e kulturologët e shquar të së djathtës klasike, nuk përbën meritë dhe argument në favor të PLL dhe BK, pasi e kaluara e vyer e pretenduar prej tyre si pronësi politike, nuk mund të mbivendoset mbi djerrinën politike e intelektuale që po rend kah shterpësia e alternativës dhe absurdi i ekzistencës në skenën politike.
Epilogu
Sa më shumë largohen kohët e krenarisë, aq më shumë këto asete shndërrohen në visare të të gjithë shqiptarëve dhe u shërbejnë si përvojë politiko-qeverisëse e si shkollë politologjike mbarë klasës politike... sidomos segmenteve të saj që përfitojnë më shumë teorikisht dhe praktikisht prej tyre, në një kohë që “pinjollët” thjesht mburren me veprat e “etërve”, që i shesin sot si garanci dhe obligacione politike. Pikërisht këtë pafuqi politike dhe intelektuale kanë parasysh sot rivalët, përbetësuesit dhe përdoruesit e aseteve të tyre politike e elektorale, teksa u dëshmojnë ballistëve dhe zogistëve zemërgjerësinë jo të pafundme për t’i pranuar t’u bashkëngjiten si vagonë, meqë gjithsesi e ruajnë sadopak sqimën dhe luksin e dikurshëm.
Shmangiet e mëdha majtas të klasës politike dhe të reformave të deritashme, si dhe mungesa e një të djathte programore qoftë edhe në trajta e madhësi embrionale, ka çuar në humbjen e drejtpeshimit të raporteve dhe jetës politike të rrezikuar, çka e bën të pamundur ringritjen e sabotuar dhe misionin e dështuar të partive të traditës historike, BK dhe PLL. Me një të majtë tejet të fuqishme socialdemokrate dhe me një të djathtë anemike e apatike si antipod, anija shqiptare është anuar në detin e zhvillimit dhe rrezikohet nga tallazet e tensioneve dhe trazirave sociale, që gjithsesi veçse e evidentojnë mungesën e së djathtës si kundërpeshë, por nuk mund ta krijojnë atë, aq më tepër në mes të detit të trazuar. Tashmë e djathta bashkëkohore trashëgimtare e asaj të traditës, përjeton grahmat e fundit në kthetrat e morsetës së socialdemokracisë dhe pas tendencës në rritje të bashkimit të bijëzave dhe bashkëmoshatareve me PD, nuk ka rrugë tjetër veçse të shuhet apo të përthithet, për të mbetur në analet e historisë si “ish” me vlera studimore politologjike, didaktike dhe administrativo-etatiste.

19 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›