E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- zv/presidenti i OSBE: Opozita nuk ka mbështetur procesin e kartave

Kryeministri Sali Berisha ka informuar delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, se ndërkohë që ai i ka bërë dhe i bën vazhdimisht thirrje shtetasve të pajisen me letërnjoftim, Partia Socialiste është përpjekur pa sukses të shkurajojë procesin e aplikimit me qëllim prishjen e tij dhe se ajo nuk ka bërë asnjë thirrje publike në mbështetje të këtij procesi. Kryeministri Berisha nënvizoi faktin se pavarësisht qëndrimit jo konstruktiv të opozitës gjatë muajve të fundit, fushata zgjedhore po zhvillohet e qetë e në përputhje me rregullat. Ndërsa nga ana e tij, Zv/presidenti i OSBE, Ëolfgang Grossruck, i cili është caktuar koordinator i Posaçëm i misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, e informoi kryeministrin Berisha se ai do të udhëheqë vëzhguesit afatshkurtër të OSBE-së dhe se do të koordinojë deklaratën paraprake për llogari të OSBE-së, që do të bëhet më 29 qershor. Në këtë takim, kreu i qeverisë ka siguruar delegacionin se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për arritjen e standardeve më të mira në zgjedhjet e 28 qershorit. Berisha është ndalur edhe në procesin e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime elektronike, ku theksoi punën shumë të mirë të kryer nga kompania konçensionare dhe informoi të pranishmit se sistemi i aplikimit është shfrytëzuar vetëm me një të tretën e kapacitetit ditor që disponon dhe se qeveria shqiptare ka mundësuar dhe garanton plotësisht pajisjen me letërnjoftim për të gjithë shtetasit pa pasaporta që do të aplikojnë në afat, duke zbatuar edhe një skemë të gjerë  kompensimi paraprak të miratuar me konsensus me opozitën. Në takimin e zhvilluar me delegacionin që kryesohej nga Zv/presidenti i saj, Ëolfgang Grossruck, kreu i qeverisë ndër të tjera ka theksuar arritjet e jashtëzakonshme në reformimin dhe modernizimin e infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në faktin se për herë të parë Shqipëria ka një sistem zgjedhor, Kod Zgjedhor dhe Komision Qendror të Zgjedhjeve të miratuar me konsensus të plotë midis mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Po ashtu, kreu i qeverisë ka theksuar se reforma dhe modernizimi i plotë i gjendjes civile, i kryer në bashkëpunim me OSBE-në dhe qeverinë austriake, siguron për herë të parë lista zgjedhësish të saktësisë më të lartë, duke mbyllur kapitullin e turpshëm të listave të zgjedhjeve të viteve 2000-2003, ndërsa projekti i pajisjes me letërnjoftime elektronike, siguron dokumentin e cilësisë më të mirë europiane për identifikimin e zgjedhësve shqiptarë. Kryeministri shprehu kënaqësinë për interesin e treguar nga Asambleja Parlamentare në vëzhgimin e zgjedhjeve, si dhe theksoi rëndësinë themelore që kanë zgjedhjet e këtij muaji për Shqipërinë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›