Digjet brenda shtëpisë foshnja 1-vjeçare
Skënderaj, 23 janar NOA - Një foshnje e
gjinisë femërore, një vjeçare, raportohet të ketë humbur jetën si rezultat i
shpërthimit të zjarrit në një shtëpi private në fshatin Kllodernicë të
Skenderajt.Rasti është raportuar të ketë ndodhur dje rreth orës 12:45 ndërsa policia ishte
informuar dhe reaguar në vendngjarje, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Policia tha se është njoftuar se në një shtëpi
të lagjes Hajdaraj, të fshatit Kllodernicë, e cila ishte përfshirë në zjarr,
një foshnje një vjeçare ka humbur jetën si rezultat i zjarrit.
Në vendngjarje kanë reaguar edhe njësitë e zjarrfikësve të cilët kanë
lokalizuar zgjerimin e zjarrit ndërsa është konfirmuar se një foshnje është
gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë.Ekspertë të pavarur për përcaktimin e shkaktarit të zjarrit kanë dalë në vendngjarje
gjithashtu ndërsa pritet që ekzaminimin e vendit të ngjarjes në kërkim të
shkaktarit të zjarrit ta kryej edhe një njësi e specializuar nga KEK-u
Prishtinë.
Trupi i pajetë e foshnjës, me autorizim të
prokurorit publik është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë
për autopsi.
Deri në këto momente nuk dihet për shkaktarin
e zjarrit ndërsa autoritetet e Kuvendit Komunal në Skenderaj kanë intervenuar
për të strehuar familjen Hajdari, e cila është përballur me pasojat e zjarrit.
a.b/NOA