Haiti, marrin fund operacionet e kërkimit

Zyra e Kombeve të Bashkuara për bashkërendimin
e çështjeve humanitare njofton se, qeveria haitiane e ka deklaruar të mbyllur
fazën e operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, ekipet ndërkombëtare të shpëtimit kanë
nxjerrë të gjallë nga rrënojat 132 persona.
Në mesin e të mbijetuarve ishte një grua 84-vjeçare dhe një djalë 22-vjeçar, të
cilët duket se janë të mbijetuarit e fundit që janë nxjerrë nga rrënojat e
ndërtesave të shkatërruara në Haiti.
Numri i të vdekurve llogaritet në mbi 100
mijë, kurse 1.5 milionë haitianë kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti 7 ballë i
shkallës Rihter.
Në Gjenevë, Margareta Ualstrom, e dërguara speciale e organizatës botërore
lidhur me uljen e rrezikut nga katastrofat, tha se bota duhet të ndërtojë një
Haiti më të sigurt.
Agjencitë e lajmeve njoftojnë se në fokus të ndihmës humanitare tani janë të
pastrehët. Njoftohet se shumë haitianë po largohen nga zonat e prekura rëndë
nga tërmeti i 12 janarit, drejt rajoneve që nuk janë prekur nga tërmeti.
Mbrëmja e së premtes mblodhi së bashku yje të kinemasë dhe muzikës, në një
koncert humanitar për Haitin.
Koncerti kishte si qëllim mbledhjen e fondeve për Haitin, në një transmetim
maratonë në televizione, internet dhe në telefona celularë në gjithë botën.
Koncerti humanitar u drejtua nga aktori Xhorxh Klluni dhe reperi me origjinë
haitiane Viklef Xhin. Në koncert morën pjesë Madona, Cold Play, Sting, e shumë
të tjerë.
Në koncertin e titulluar Shpresë për Haitin, pjesëmarrës ishin mbi 100 yje të
muzikës botërore, e të Hollivudit.
Në mesin e figurave të njohura ishte dhe ish-presidenti amerikan, Bill Klinton,
i cili së fundi ka vizituar Haitin. Klinton foli për të ardhmen e vendit
ishullor.
Ajo çfarë njerëzit duhet të dinë është se këta njerëz kanë mundësinë e tyre më
të mirë në jetë për ti ikur historisë së deritashme dhe të ndërtojnë atë lloj
vendi që meritojnë fëmijët e tyre. Mendoj se, nëse veprojmë drejt, kjo do të
ndodhë, tha Klinton.
Zyrtarët në Nju-Jork deklaruan se deri tani apelit për 575 milionë dollarë
fonde për Haitin, shtetet dhe organizatat e ndryshme i janë përgjigjur në një
vlerë prej 334 milionë dollarësh.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, deklaroi se rrallë përballë
katastrofave të kësaj natyre bashkësia ndërkombëtare ka vepruar me një
solidaritet të tillë, apo kaq shpejt.Megjithatë, presidenti i Haitit, Rene Preval, i ka deklaruar gazetës spanjolle
El Pais se ndihmat humanitare për vendin e tij po vuanin nga një mungesë e
përgjithshme bashkërendimi. /rfe/