Thaçi: Kosova, triumf në mbledhjen e OKB

Mbledhja
e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte jashtëzakonisht e
suksesshme për Republikën e Kosovës
Prishtinë, 23 janar NOA Nën drejtimin e
kryeministrit Hashim Thaçi, sot është mbajtur mbledhja e 107- të e Qeverisë së
Republikës së Kosovës. Në hapje, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar
kabinetin e tij lidhur me takimin e Këshillit të Sigurimit i cili mbrëmë
diskutoi raportin e fundit tremujor për vitin 2009 për Kosovën.
Kryeministri theksoi se mbledhja e mbrëmshme e
KS të OKB ishte jashtëzakonisht e suksesshme për Republikën e Kosovës.
Ai tha se paraqitja e ministrit të Jashtëm,
Skënder Hyseni para KS ishte jashtëzakonisht dinjitoze, shumë argumentues dhe i
vlerësimit të progresit të arritur në Republikën e Kosovës, progres ky i
arritur si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, vend demokrati dhe
shumetnik, me fqinjësi të mirë, me stabilitet rajonal dhe perspektivë
euroatlantike.
Më tutje z. Thaçi tha se njohjet e reja për
Kosovën, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me fqinjët Malin e Zi,
Maqedoninë, Shqipërinë, mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve të lira demokratike
të para në Kosovën e pavarur, me organizimin e institucioneve vendore,
integrimi i komuniteteve, janë vlerësuar dhe po mirëkuptohen dhe mbështeten nga
të gjithë.
Ky është një mesazh shumë i mirë për të
gjithë se jemi në rrugë të mbarë të ndërtojmë vendin tonë sipas parimeve,
standardeve dhe kritereve më të larta demokratike, - tha kryeministri.
Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me të
gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë, me të gjithë anëtarët e KS, sidomos me
anëtarët e rinj, në mënyrë që ti bindim se progresi është në të mirën e të
gjithëve, prandaj mbështetja për Kosovën është mbështetja për një vend të lirë,
demokratik, sovran me perspektivë euroatlantike, e në të njëjtën kohë me
perspektivë që Kosova të jetë edhe pjesë e OKB, - tha z. Thaçi.
Ai shtoi se dhe strategjia e institucioneve të
Kosovës, e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve dhe mekanizmave
ndërkombëtarë është e përgjegjshme, e matur dhe do të jetë shumë efikase, në
veçanti në sundimin e rendit dhe ligjit, legjitimimin e tri komunave të reja
përmes procesit elektoral, krijimin e komunës së veriut, gjithashtu përmes një
procesi demokratik, në përputhshmëri të plotë me dokumentin e Presidentit
Ahtisari.
a.b/NOA