E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet flamuri britanik në Argjentinë

Tendosjet mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës, lidhur me sovranitetin mbi Ishujt Falkland ( Argjentina i njeh me emrin Malvines), vijojnë të mbeten të larta.

Qindra persona, me pankarta kundër Britanisë dhe kryeministrit David Cameron, u mblodhën para selisë së ambasadës britanike në Buenos Aires. Ata dogjën flamurin e Britanisë së Madhe dhe bënë thirrje për largimin e “pushtuesve” nga Ishujt Malvines (Falkland).

Protesta u zhvilluan pas një komenti të kryeministrit Cameron, i cili edhe njëherë tjetër përsëriti qëndrimin për sovranitetin e Ishujve Falkland, duke deklaruar se Londra nuk do të bëjë kurrfarë lëshimi karshi Argjentinës, nëse nuk vendos më parë popullsia e ishujve.

“Ne nuk do të ulemi kurrë në një tryezë ku do të diskutohet sovraniteti Ishujve Falkland. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse populli i Ishujve Falkland e dëshiron një gjë të tillë. Kjo është e vetmja rrugë demokratike që ne do të ndjekim”, deklaroi Cameron.

Presidentja Argjentinase, Christina Fernandez, gjatë një fjalimit të saj në një samit të vendeve të Amerikës Latine, mbajtur në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, u shpreh për një “betejë të përjetshme” të Argjentinës për Ishujt Falkland.

Ajo madje akuzoi Londrën se është e gatshme të bëjë luftë me cilindo shtet sovran, për të shfrytëzuar burimet natyrore të tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›