Kongresi amerikan tërhiqet nga ligji kundër piraterisë

Kreu i shumicës në Senat, Harry Reid, anuloi votimin e parashikuar për t’u mbajtur ditën e premte. Senati njoftoi se nuk do të kalojë asnjë prej këtyre akteve, pa pasur më parë një marrëveshje me grupet e interesuara.
“Duke pasur parasysh ngjarjet e ndodhura së fundmi, vendosa të shtyj për një herë tjetër votimin për dy aktet ligjore që synojnë të luftojnë piraterinë online”, deklaroi Reid.
Anulimi është mirëpritur edhe nga një pjesë e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve. Kongresisti, Lamar Smith tha se “ka dëgjuar kritikat dhe për ligjet anti-pirateri dhe se ato kritika duhen marrë seriozisht edhe pse është e qartë se duhet të ndërmerren masa”.
Pezullimi i votimit vjen dy ditë pas protestës së ndërmarrë nga enciklopedia online, Wikipedia dhe dhjetëra faqe e blogje të tjera në internet, të cilat detyroheshin me ligjin e ri ( nëse do të hynte në fuqi) të hiqnin dorë nga një pjesë e madhe e materialeve të tyre që ofronin.