“Digjet” fondi 100 mln lekë në burgje
Toga e shoqërimit e burgjeve, e njohur edhe si “forca speciale” e këtij institucioni, ankohet tek Kryeministri Sali Berisha pasi Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u ka mohuar pagat e dhëna nga buxheti i shtetit. Efektivat e togës së shoqërimit, janë ankuar së fundi tek Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, duke besuar në zgjidhjen e problemit të tyre, i cili sipas peticionit, është krijuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazment Dibra. Ky i fundit bëhet përgjegjës në peticion për mospagimin e orëve suplementare të punës, tashmë prej më shumë se dy vitesh. Në shkresën dërguar Kryeministrit Berisha, e cila mban firmat e 50 policëve të togës së shoqërimit, thuhet se llogaritur nga janari i këtij viti atyre duhet t’iu paguheshin orët suplementare të 18 muajve, ndërsa tashmë borxhi i burgjeve ndaj tyre është shtuar edhe me mospagesat e 6 muajve të tjerë. Ndërkohë burime nga dikasteri i burgjeve pohojnë se policët e togës së shoqërimit punojnë në mjaft raste edhe 100 orë suplementare pune në muaj, por ligji parashikon që duhet t’iu paguhen vetëm 40 të tilla. Edhe këto orë pune të njohura nga ligji, janë neglizhuar t’u paguhen si pasojë e mosveprimit të Drejtorit të përgjithshëm Gazment Dibra dhe administratës së krijuar prej tij. çdo orë punë jashtë orarit për specialët e burgjeve kushton rreth 200 lekë të reja, dukë bërë që ata të përfitojnë sipas ligjit rreth 8 mijë lekë të reja shtesë page në muaj. Kjo shumë e llogaritur në dy vite dhe për llogari të 50 efektivëve, e çon në rreth 10 milionë lekë të reja borxhin që burgjet u detyrohen specialëve. Për këtë policët akuzojnë krerët e burgjeve, që me paaftësi djegin fondet, ndërsa këtyre nuk u paguhet puna që kanë kryer. “Ne i përkasim një strukture që kontrollon sigurinë dhe sendet e ndaluara në burgje. Me gjithë rezultatet e shkëlqyera që kemi pasur, duke kapur qindra celularë dhe sendet ndaluara nëpër burgje, nuk është marrë masë ndaj shkaktarëve, ndërsa neve nuk na është akorduar as edhe një shpërblim për këtë punë. Ne me keqardhje ju bëjmë me dije, se pas dukurive të fundit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, nuk na janë akorduar orët shtesë të punës, të cilat na i kishin premtuar që në muajin shtator 2009 eprorët e DPB”, thuhet në peticionin që policët i kanë dërguar kryeministrit, të cilët përfundojnë duke akuzuar titullarin e institucionit për paaftësi dhe prepotencë. “Ne i kuptojmë rrethanat dhe vështirësitë ekonomike, por nuk pajtohemi me paaftësinë e drejtueseve që djegin fondet dhe nuk marrin mundimin të na sqarojnë për këtë problem”, përfundon dokumenti i nënshkruar nga policët. Mospagimi i orëve suplementare në Policinë e Burgjeve, është ngritur si problem pak kohë më parë në “Panorama” edhe nga Valentin Macaj, kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë, e cila ka në anëtarësinë e saj rreth 2800 policë të burgjeve. Macaj pohoi në fillim të muajit të kaluar se rreth 1000 policë të burgjeve nuk kishin arritur të përfitonin pagesat për orët shtesë të punës dhe se gjithçka vinte nga keqmenaxhimi i fondeve, që në mjaft raste digjeshin. Në të gjitha rastet, burgjet nuk kanë pranuar të kryejnë pagesat megjithëse policëve u kanë premtuar gjithmonë se do ua jepnin paratë. “Në këtë punë, me orar të zgjatur kemi lëvizur në të gjitha rrugët e Shqipërisë, nga Tropoja deri në Sarandë, ditën dhe natën, në kohë të mirë dhe të keqe, dhe për shkak të elementeve të sigurisë së automjeteve tona shpeshherë kemi rrezikuar edhe jetën gjatë shërbimit. E ndiejmë se integrimi i vendit kërkon edhe përkushtimin dhe sakrificën tonë për një të ardhme me të mirë të fëmijëve tanë, të cilët në më të shumtën e rasteve në i lëmë në gjumë dhe i gjejmë në gjumë”, thuhet në kërkesën e policëve për kryeministrin. re.kro