Gjermani, mijëra në protesta kundër paketës së kursimeve
Mijëra njerëz kanë protestuar dje në rrugët e Berlinit për të shprehur pakënaqësinë e tyre mbi planet e Qeverisë për masa kursimi. Protesta u organizua nga lidhja e emëruar “Nuk paguajmë për krizën tuaj”, e përbërë nga mbi 100 organizata dhe iniciativa të ndryshme, nga sindikata dhe partitë SPD, të Gjelbrit dhe të Majtët. Mbi 20.000 njerëz dolën rrugëve të Berlinit me flamuj dhe parulla si “Kriza quhet kapitalizëm” apo “Puna, e drejtë njerëzore”. Ndërsa në Shtutgart demonstruesit kërkuan që të mos ketë shkurtime në sektorin social dhe rritje të tatimeve për ata që fitojnë më shumë, me parullat “Drejtësia funksionin ndryshe”. Demonstruesit hodhën madje vezë drejt një politikani të SPD-së, i cili po mbante një fjalim. Policisë iu desh të ndërhynte me çadra shiu dhe shkopinj për të stabilizuar gjendjen. Sipas policisë, në protestat e Shtutgartit morën pjesë 10.000 njerëz. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, u është përgjigjur protestave në dy qytetet e mëdha gjermane me një deklaratë ku theksohej se paketa e kursimeve është e domosdoshme. “Njerëzit e dinë se duhet të shlyejmë borxhet”, tha ajo për gazetën “Bild am Sonntag”.