E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet klinika private e drejtorit të spitalit

09/06/2009  Lushnjë, flakët në pronën e Robison Lipes u shkaktuan nga një shkëndijë në aparatura

LUSHNJE- Dyqani dhe klinika e drejtorit të spitalit të Lushnjës është djegur nga flakët e një zjarri që ka rënë pasditen vonë të së dielës, fare pranë banesës ku ai jeton. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të komisariatit të policisë Lushnjë si dhe nga shërbimi zjarrfikës pranë prefekturës së qarkut Fier.

Zjarri

Sipas burimeve zyrtare të policisë Lushnjë, mësohet se rreth orës 21 e 30 minuta të së dielës në mbrëmje është konstatuar zjarr në një godinë dykatëshe që është në pronësi të Robison Lipes me profesion mjek, por gjithashtu edhe drejtor i spitalit të qytetit. Ai banon fare pranë me godinën që ra në flakë. Kanë qenë komshinjtë që kanë parë tymin të dalë nga dritaret e godinës që kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar dy automjete zjarrfikëse që kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Burime policore dhe ato nga vendi i ngjarjes pohuan se godina është në pronësi të drejtorit të spitalit, ndërkohë që dyqanin e ka lënë me qira, ndërsa ngjitur me të ka klinikën e vet private. Nga zjarri janë përfshirë dyqani e klinika, ndërsa banesa ku ai jeton me familjen kanë shpëtuar fal ndërhyrjes së zjarrfikësve. Policia e Lushnjës ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Aty kanë mbërritur edhe katër ekspertë të kriminalistikës, të cilët kanë vëzhguar nga afër situatën pas shuarjes së zjarrit në brendësi të godinës. Sipas burimeve zyrtare të policisë Lushnjë, mësohet se ekspertët kanë vërejtur në pjesë të brendshme të aparaturës EKO shenja që mund të kenë shkaktuar shkëndijën e zjarrit e më tej mund të ketë shpërthyer në flakë. Nga ana tjetër burimet policore pohuan se në godinë nuk ka pasur thyerje xhamash apo shqyerje të dyerve që mund të linin që të dyshohej se zjarri mund të ketë qenë i vënë qëllimisht. Gjithsesi kjo pistë po hetohet, por nuk ka shumë fakte. Dyshimi më i madh është se zjarri mund të jetë shkaktuar për shkak të goditjes së tensionit në aparatura, pohuan zyrtarisht burimet policore lushnjare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›