E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Maji më i shtrenjtë se prilli

09/06/2009  Nafta dhe benzina rrisin kostot e transportit. Shtrenjtohen edhe shërbimet shëndetësore

Inflacioni në maj 2,1 për qind. BSH: Ka ngadalësim të kërkesës së brendshme

Çmimet në tregun me pakicë gjatë muajit të kaluar kanë rezultuar në rritje sërish. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, inflacioni për muajin maj ishte 2.1 për qind në terma vjetore, ose 0.3 për qind më i lartë se në muajin prill. Krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar, shifra është dy herë më e ulët. Gjithsesi në dy muajt e fundit po vihet re një prirje e qartë rritëse e inflacionit, i cili në muajin mars arriti pikun më të ulët të viteve të fundit me 1.6 për qind. Sipas të dhënave të INSTAT-it, rënia e çmimeve të ushqimeve kanë vazhduar të bien ndikuar tërësisht nga futja në treg e prodhimit vendas. Përfitimet që ka sjellë për konsumatorët rënia e çmimit të ushqimeve rezultojnë të zhvlerësuar nga shtrenjtimi i disa shërbimeve të tjera bazë, si ato për transport dhe shëndetin. Më konkretisht të dhënat e INSTAT-it tregojnë se çmimet për transportin u rritën me 0.4 për qind krahasuar me prillin, kjo si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe benzinës, respektivisht me 0.6 dhe 2.5 për qind. Rritje çmimesh po vihet re edhe për shpenzimet e shëndetit. Vetëm për muajin maj, sipas INSTAT-it, çmimet e shërbimeve shëndetësore u rritën me 1.1 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në tremujorin e parë të vitit 2009 vazhdoi të ruajë të njëjtin model kontributdhënës të kategorive të mallrave dhe shërbimeve me periudhën e fundvitit 2008. Inflacioni vjetor shënoi vlerën 1.9 për qind duke qëndruar pranë kufirit të poshtëm të tolerancës së objektivit të Bankës së Shqipërisë për të. “Rënia e inflacionit për këtë periudhë u shkaktua kryesisht nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në botë. Normat e ulëta të inflacionit bazë dhe atij të mallrave me çmime të patregueshme dëshmojnë për rënien e presioneve inflacioniste nga ana e kërkesës së brendshme. Rënia e ndjeshme dhe e shpejtë e inflacionit, veçanërisht në tremujorin e katërt të vitit të kaluar dhe në tremujorin e parë të vitit 2009, ngadalësimi i ritmeve të rritjes së kredisë për ekonominë, pritjet pesimiste të bizneseve dhe konsumatorëve për zhvillimet e ardhshme në aktivitetin ekonomik dhe në fushën e çmimeve, sinjalizojnë ngadalësim të kërkesës së brendshme dhe të jashtme”, - thekson raporti i Bankës së Shqipërisë, për zhvillimet ekonomike në tremujorin e parë. Sipas analizës të ekspertëve të institucionit qendror mbikëqyrës, rreziqet për presione inflacioniste në një horizont afatmesëm, janë në masën më të madhe të ekuilibruara.

Parashikimi

Inflacioni po shfaq vlerat më të ulëta të viteve të fundit, por ekspertët paralajmërojnë se tregjet mund të përballen me një valë tjetër të rritjes së çmimit. Ajo mund të jetë e ndikuar nga zhvillimet e jashtme si pasojë e shpenzimeve të mëdha të qeverive evropiane për të zbutur krizën. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë theksuar se politika fiskale në vend është karakterizuar tashmë nga rritja e shpejtë e shpenzimeve kapitale dhe nga nivele të kontrolluara të deficitit buxhetor, i cili gjatë tremujorit të parë, u financua nga të ardhurat e privatizimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›