E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçovë; Vetëvritet me armën e shërbimit ushtari



Kuçovë; Vetëvritet me armën e shërbimit ushtari

Një ushtar ka qëlluar veten me armën e shërbimit, duke mbetur i vdekur. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Kuçovë. Sipas burimeve nga policia, viktima është 19-vjeçari Klodian Armati. I riu kishte disa muaj që kishte nisur ushtrinë dhe kishte ardhur nga fshati Goraj i këtij rrethi. 19-vjeçari kryente shërbimin në repartin e aviacionit në Kuçovë. Sipas burimeve nga policia, gjatë natës së të dielës, ai ka pasur orarin e shërbimit. Ka marrë armën dhe ka shkuar në vendin e rojës. Por pak pasi kishte marrë shërbimin është dëgjuar një krismë. Kur shokët e tij kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë parë trupin e pajetë të Armatit. Nga hetimet paraprake mendohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të depresionit të rëndë që mund të ketë pësuar 19-vjeçari.

Durrës

Prangosen tre persona, akuzohen për falsifikim dokumentesh

Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona, të cilët u kapën me dokumente të falsifikuara. Në prangat e uniformave blu ranë Afrim Asipi nga Maqedonia, Ramadan Krasniqi nga Kosova dhe Valentin Gashi po nga Kosova. Sipas burimeve nga policia, është arrestuar në flagrance Afrim Asipi, 25 vjeç, banues në Shkup të Maqedonisë. Arrestimi i tij është bërë pasi ka tentuar të udhëtoje drejt Italisë, nëpërmjet Portit Detar të Durrësit, duke paraqitur pranë autoriteteve të policisë në terminalin e përpunimit të trageteve një leje qëndrimi italiane në emër të tij, që dyshohet të jetë e falsifikuar. Ndërkaq leja është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, me numrin 0127539AB. Po ashtu në flagrancë është kapur dhe Ramadan Krasniqi, 39 vjeç, nga Rahoveci i Kosovës. Prangosja e tij është bërë, pasi ky person ka tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me një pasaportë jugosllave me numër 00110099465, si dhe një leje qëndrimi austriake me numër A 186435798, që i përkisnin një kosovari. Policia ka sekuestruar pasaportën dhe lejen e qëndrimit me identitetin e Gëzim Hotit. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë dhe kosovari tjetër, Valentino Gashi nga Gjilani. Ai është prangosur, pasi është paraqitur pranë Portit të Durrësit për të udhëtuar në drejtim të shtetit italian me një pasaporte jugosllave, me vizë suedeze të falsifikuar. Të tre personat janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, ku akuzohen për veprën penale të “falsifikimit të pasaportave ose vizave”.

Tiranë

Vetëhelmohet 35-vjeçarja, në gjendje të rëndë në spital

Një 35-vjeçare është në gjendje të rëndë për jetën në spital, pasi ka gëlltitur një mbidozë ilaçesh. Sipas policisë, gruaja po kalonte momente të vështira, pasi ishte në gjendje të vështirë të një depresioni nervor. Sipas burimeve nga komisariati i policisë nr. 2 Tiranë, Bukurie Saliu, me banim në kryeqytet, është gjetur në gjendje kritike për jetën në banesë dhe u dërgua me urgjencë për ndërhyrje mjekësore. Mjekët pohojnë se gjendja e 35-vjeçares mbetet e rëndë, për shkak të depërtimit të helmit në organet e saj jetësore. Pasi u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, nga deklarimet e marra familjarëve të së dëmtuarës, rezulton se 35-vjeçarja, në kushtet e një depresioni nervor ka pirë njëherësh disa medikamente.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›