Kriza financiare, liderët nisin zbatimin e planit
Liderët e kombeve më të pasura në botë po hedhin hapin e parë dhe po presin me ankth efektin, që do të kenë planet e tyre mbi riparimin e tregjeve financiare. Qeveritë evropiane shpalosën dje planet për të garantuar debitet e bankave dhe përdorimin e fondeve publike për të ruajtur bankat, që tashmë kanë hyrë në telashe. Ndërsa sekretari amerikan i Thesarit po shqyrton propozimin e tij për të blerë aksione në firmat financiare. Edhe Britania ka nisur zbatimin e planit të saj. Plani britanik i shpëtimit ka të bëjë me shtetëzimin e bankave. Zyra e Thesarit britanik ka njoftuar se do të investojë 63 miliardë dollarë nga paratë e taksapaguesve për të shtetëzuar “Royal Bank” të Skocisë, “HBOS” dhe “Lloyds”. Ministrat britanikë shpresojnë se ky hap do të rikthejë njëfarësoj qetësie në tregje. Gazeta britanike, “Telegraph” e cilësoi ditën e djeshme, kur zyrtarisht u zbatua vendimi i qeverisë britanike, si ditën më të rëndësishme të sistemit bankar britanik, kur taksapaguesi bëhet pronar i bankave. Ndërsa gazeta “Guardian”, shkruan se vendimi i qeverisë pas negociatave që kanë vazhduar gjatë gjithë natës me drejtorë të bankave dhe rregullatorëve, tregon se kriza financiare po thellohet. Megjithatë, qeveria britanike nuk e quan hapin e saj shtetëzim, por blerje aksionesh që do të rishiten me t’u normalizuar situata. Administrata Bush njoftoi dje, se po bën lëvizje të shpejta për të zbatuar paketën e shpëtimit prej 700 miliardë dollarësh përfshirë konsultimin me firma private ligjore, mbi mënyrën se si të blejnë aksione pronësie në banka për t’i ndihmuar ato të shkrijnë huat e ngrira dhe për ta vënë ekonominë sërish në lëvizje. Njoftimi erdhi në një kohë kur bankat qendrore evropiane kanë nisur të marrin aksione të unifikuara të hënën, në përpjekje për të lehtësuar krizën e kredive. Përpjekjet e koordinuara nga autoritetet amerikane dhe evropiane për të nxitur përpara sistemin bankar kanë sjellë lehtësim në tregje. Tregjet evropiane janë hapur fuqishëm të hënën pas Azisë në përgjigje të iniciativave të gjera qeveritare. Edhe tregjet e bursave amerikane duket se kanë pasur një hapje më të lartë dje, krahasuar me tetë ditë humbje të njëpasnjëshme.