E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet natën me benzinë makina e Krenar Ahmetit

 

Dashamir Biçaku

Digjet në mënyrë misterioze makina e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, Krenar Ahmeti. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 04:00 të mëngjesit në rrugën "Mihal Grameno", fare pranë banesës së kreut të rrugores, ku ishte parkuar automjeti i policisë. Mësohet se makina kishte vetëm pak orë që ishte parkuar në vendin ku dhe u dogj, për shkak se kreu i policisë rrugore ishte kthyer vonë në shtëpi prej ngarkesës së trafikut që ndodh në Tiranë mbrëmjeve të shtuna. Policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, por mjeti nuk ka shpëtuar nga dëmtimi i plotë. Një grup hetimor ka filluar menjëherë verifikimet për të zbardhur ngjarjen. Paraprakisht mendohet se zjarrvënia e makinës së kreut të komisariatit rrugor, ka pasur si motiv shkatërrimin e pronës me dashje për shkak të detyrës dhe funksionit që kryen prej më tepër se një viti Krenar Ahmeti. Pikërisht një version që ka lidhje me detyrën, ka nisur të hetojë policia e kryeqytetit.
Ngjarja
Burimet zyrtare nga strukturat e policisë pohuan se nga këqyrja në mjetin e markës "Volkswagen" Passat me targa POLICIA 0044, është arritur në përfundimin se aty ishte hedhur një sasi lënde djegëse benzinë. Sipas burimeve të policisë besohet se një pjesë e mirë e automjetit është lyer me benzinë dhe më pas autorët i kanë vënë flakën asaj në një distancë prej 5-6 metrash. Më pas autorët e krimit, ende të pa identifikuar, kanë ikur nga vendi i ngjarjes ndërsa makina shuhej në flakë. Aty pranë, sipas burimeve, kanë qenë edhe disa automjete të tjera, të banorëve të pallateve të zonës të cilat nuk kanë pësuar dëmtime. Policia për më tepër se dy orë ka qëndruar në vendin e ngjarjes, duke kryer veprime këqyrje, matje dhe verifikime të tjera të nevojshme. Ndërkaq mjeti, pas përfundimit të veprimeve të ekspertëve dhe të grupit hetimor, është hequr me një karotrec nga vendi i ngjarjes. Blozën dhe mbeturinat e shkaktuara nga djegia e makinës, shiu i ditës së djeshme i ka pastruar duke bërë që në vendin e ngjarjes së mëngjesit të djeshëm të mos dukej asnjë gjurmë.
Hetimi
Policia ka marrë në pyetje vetë Krenar Ahmetin, si dhe persona të tjerë që kanë dëshmuar në interes të hetimit. Ndërkaq policia është munduar të zbulojë ndonjë moment konflikti të kryepolicit të qarkullimit rrugor, Krenar Ahmeti me persona të tjerë për shkak të funksionit që ai kryen prej më tepër se një viti. Mësohet se janë shoqëruar formalisht disa persona të cilët pasi kanë dhënë deklarimet e tyre përpara hetuesve të seksionit të shkatërrimit të pronës me zjarr, janë lënë të lirë. Pista në të cilën po heton policia është se ngjarja ka lidhje me detyrën që kryen aktualisht Krenar Ahmeti.

Hetimi, përjashtohet defekti në makinë

Hetuesit dhe ekspertët e policisë që janë angazhuar në zbardhjen e ngjarjes së ndodhur me makinën e Krenar Ahmetit, kanë përjashtuar mundësinë që ajo të jetë djegur si pasojë e ndonjë defekti. Sipas të dhënave, mësohet se makina ka qenë në gjendje të mirë dhe pa probleme teknike ndërkaq në vendin e ngjarjes janë konstatuar pa vështirësi mbeturina të lëndës djegëse të benzinës e cila ishte bashkuar me shiun dhe me vajrat e makinës së shkatërruar.

Reagon PS: Solidarizohemi me Krenar Ahmetin

TIRANE - Partia Socialiste reagoi dje lidhur me djegien e makinës së shefit të rrugores Krenar Ahmeti. "I shprehim solidaritetin tonë qytetar Drejtorit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti dhe familjes së tij pas aktit brutal ndaj mjetit me të cilin zoti Ahmeti kryen detyrën e tij si shërbëtor i shtetit të të gjithëve. Ky akt ka një domethënie të qartë për qeverinë, e cila duhet të reagojë energjikisht për të kapur fajtorët", tha Mimi Kodheli. "Dhe, për opozitën e cila është e do të jetë në çdo rast si ky në krah të punonjësve të shtetit e të familjeve të tyre. Po edhe për qytetarët e këtij vendi domethënia e këtij rasti është e qartë: Askush nuk është i sigurt në këtë vend ku gjithkush është i kërcënuar nga pasiguria e jetës, e punës, e rrugës", shtoi më tej ajo. Sipas Kodhelit, ky është jo vetëm një tjetër rast në fillin e rasteve të përditshme të dhunës e pasigurisë, por edhe një rast veçanërisht flagrant, për të reflektuar mbi nevojën e ndryshimit e madh që na duhet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›