E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet trafiku i armëve Kosovë-Shqipëri

 

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur skemën e trafikut të armëve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë dhe në dosjen penale të koduar "Alberta" ka dërguar të pandehur në gjykatë gjashtë persona të implikuar në këtë trafik. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë se pas përfundimit të hetimeve, prokurori Ardian Nezha dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj gjashtë të pandehurve. Sipas burimeve zyrtare, hetimi ka filluar më 13 gusht 2008, në ngarkim të personit të dyshuar Kujtim Laçi. Gjatë hetimeve ndaj tij janë zbuluar me radhë të implikuarit tjerë, i pari Afrim Stafuka. Sipas hetimeve, Kujtim Laçi, në bashkëpunim me shtetasin Afrim Stafukën në datë 15 gusht 2008, i kanë shitur një pistoletë tip "Zastava" me nr.ET-831923, me 5 fishekë, për shumën 23.000 lekë një personi të njohur me nofkën "Labi". Pas blerjes së pistoletës nga ky person arma është sekuestruar si provë materiale. Tri ditë më vonë, më 18 gusht 2008, Kujtim Laçi përsëri në bashkëpunim me Afrim Stafukën, i kanë shitur të njëjtin person katër armë pistoleta "Zastava" për shumën 92.000 leke. Edhe këto armë mësohet se janë sekuestruar nga policia gjyqësore si prova materiale. Prokuroria tha se më 22 gusht 2008, Kujtim Laçi me Afrim Stafukën, janë përgatitur për të shitur 5 copë pistoleta. Rreth orës 09:00, në momentin që do të bëhej shkëmbimi, në vendin e quajtur "mbikalimi" në Fushë Krujë, ka ndërhyrë policia duke kapur në flagrance të dy të dyshuarit për trafik armësh. Gjatë metodave speciale të hetimit, Prokuroria ka mësuar personat që ishin furnitorë të trafikantëve të armëve që shiteshin në Shqipëri. Përmes Afrim Stafukën është provuar se furnizuesi i armëve ishte Adem Berisha nga Kosova. Ndërkaq të hetuarin në këtë çështje, Afrim Stafuka e kanë kontaktuar persona të tjerë të interesuar për të blerë armë, një prej tyre ka qenë Edmond Kajo. Në ditët e para të shtatorit 2008 Edmond Kajo ka porositur te Mustafa Gashi 5 copë pistoleta "Miniblloë". Më 12 shtator Nertil Fejzullau bashkë me Marjus Buden në Krujë dhe pasi takojnë Mustafa Gashin porosisin 5 copë pistoleta Miniblloë. Më 20 shtator 2008, Adem Berisha takohet me shtetasin Mustafa Gashin, dhe të dy së bashku kanë lëvizur në drejtim të qytetit të Beratit. Në vendin e quajtur "Ura e Kuçit" kanë takuar Edmond Kajon që kishte përdorur makinën e Florenc Mezinit. Edmond Kajo është takuar me Mustafa Gashin dhe Adem Berishen dhe ka folur për shitjen e armëve. Mustafa Gashi i ka dhënë Edmond Kajos 10 pistoleta. Pasi janë ndarë Adem Berisha dhe Mustafa Gashi kanë udhëtuar për në Vorë, ku janë kapur me pesë pistoleta të tjera, pasi janë ndarë mes tyre ndërsa policia kishte arrestuar edhe blerësit e armëve në Berat. Shtetasi kosovar është përcjellë në drejtim të Kosovës ku ka rënë në pranga sapo kaloi kufirin ndërsa më pas atje u kapen edhe tetë persona të tjerë.       tr.so

Të akuzuarit

1.    Mustafa GASHI
2.    Kujtim Laçi
3.    Afrim Stafuka
4.    Edmond KAJO
5.    Nertil FEJZULLAU
6.    Marjus BUDA

Akuzat: Trafiku i armëve dhe municionit luftarak në bashkëpunim dhe më shumë se një herë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›