“Greqishtja, gjuhë zyrtare në Shqipëri”
ATHINE / MARKO CAKA
Minoriteti grek në Shqipëri kërkon kthimin e pronave si dhe zyrtarizmin e greqishtes në Shqipëri. Kërkesat u bënë dje në një mbledhje të shoqatave të "Vorio-Eprit", të zhvilluar në hotel "Park" të Athinës, ku merrnin pjesë edhe Kryetari i Shoqatës "Omonia", Vasil Bollano dhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Ka qenë pikërisht kreu i PBDNJ-së, i cili ka folur për çështjen e pronave të minoritetit. "Qeveria dhe regjimi në Shqipëri po kryejnë një padrejtësi ndaj pasurisë së shenjtë të minoritarëve dhe që shteti shqiptar duhet të japë zgjidhje përfundimtare në kthimin e pronave të tyre", është shprehur Dule gjatë këtij takimi. Një shembull i këtij debati, sipas tij, ka qenë dhe ankesa e disa banorëve të Nivices për pronat e Kakomesë, ku Dule u shpreh se po të bashkohen një zëri fshatarët e zonës për të drejtat e pronave të tyre, PBDNJ dhe OMONIA do të jenë në ballë për zgjidhjen e kësaj çështje. Në të njëjtën kohë Dule është shprehur se çështja çame nuk e ekziston, duke dalë në këtë mënyrë kundër qëndrimit zyrtar të qeverisë shqiptare, ku partia e drejtuar prej tij është në koalicion prej disa vitesh. "Çështja çame nuk ekziston dhe është e mbyllur një herë e përgjithmonë për vorioepiriotët dhe për Greqinë". Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave voriepiriote, të pranishme në këtë takim, kanë shprehur hapur pakënaqësitë ndaj drejtimit që Dule e Bollano po i bëjnë komunitetit grek në Shqipëri. Në mbledhje të pranishmit janë shprehur se kreu i PBDNJ-së dhe ai i Bashkisë së Himarës Bollano, qëndrojnë larg problemeve të rëndësishme që ka aktualisht komuniteti grek dhe interesohen për të vetëm kur ka votime për zgjedhjet lokale apo ato të përgjithshme. Kryebashkiaku i Himarës dhe njëkohësisht edhe lider i Omonias, Bollano u shpreh se Memorandumi i dërguar pak ditë më parë krerëve të shtetit fqinj nuk do ta pengojë Parlamentin grek në firmosjen e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Shqipërinë. "Ne jemi për përshpejtimin e pranimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike dhe në BE. Sepse pranimi i Shqipërisë në BE do të ndihmojë edhe në integrimin e shpejtë dhe të mirëqenies së minoritetit grek në familjen evropiane", tha Bollano. Në lidhje me autonominë e Vorio e Epirit, Bollano u shpreh se "Omonia" nuk ka kërkuar një gjë të tillë në Memorandum, madje ky është një spekulim i sajuar dhe që kërkon destabilizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve". Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për gazetën "Panorama", kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule u shpreh se "ata që spekuluan me këtë lajm duhet që ta lexojnë shumë mirë në përkthim se çfarë kërkojmë në Memorandum, por kurrë nuk trajtohet çështja e autonomisë së Vorio-Epirit. Firmosja e MSA-së nga Parlamenti grek është një akt i kryer dhe që nuk e pengon asgjë dhe që gjen mbështetjen tonë". Në këtë takim të pranishëm ishin edhe deputetet e ftuar të Parlamentit grek, Mihalis Pandulas i PASOK, Jorgo Trandafilidhi i Demokracia e Re dhe Thanasasis Plevris i Partisë Ekstermiste të djathtë LAOS.