E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Garantojmë qeverisje jashtë monopoleve

 

Kryetari i LSI-së Ilir Meta mori pjesë dje në konferencën e grave të kësaj force politike në Berat. Duke folur për situatën politike, Meta shprehu garancinë për suksesin e padiskutueshëm, që do të ketë LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku LSI-ja do të jetë forca që do të përcaktojë një qeverisje progresiste. "LSI-ja do të garantojë një qeverisje që nuk do të jetë më peng i monopoleve, sikurse ka qenë deri tani, një qeverisje që t'i shërbejë atyre që e votojnë dhe e besojnë, që t'i shërbejë qytetarëve në mënyrë të ndershme dhe transparente, një qeverisje për njerëzit, dhe në radhë të parë për ata që kanë më shumë probleme sociale dhe që kërkojnë mbështetjen e LSI-së përmes politikave të saj" u shpreh Meta. Duke folur për rëndësinë e pjesëmarrjes reale të grave në jetën politike të vendit, Meta theksoi, se problemi i grave dhe i vajzave shqiptare është një problem, jo thjesht i tyre, por një problem i të gjithë shoqërisë. "Nuk është thjesht një çështje kuotash dhe përqindjesh nëpër forumet e partive politike tha Meta, apo edhe në qeverisjen e vendit, por është një çështje e madhe që ka të bëjë me vetë integrimin dhe forcimin e familjes sonë, me vetë modernizimin dhe humanizmin e mëtejshëm të shoqërisë sonë", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›