E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja, ikën Gjergj Sauli

 

Aristir Lumezi

Ish-kryetari i Gjyka-tës Kushtetuese, Gjergj Sauli do të lerë mandatin më 27 dhjetor 2008. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese mbush 70 vjeç, moshë në të cilën ndërpritet mandati i Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të kërkojë zgjedhjen e një anëtari të ri të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas kushtetutës emërohet nga presidenti me pëlqimin e parlamentit. Por ndërkohë Presidenti i Republikës mësohet se ende nuk ka nisur konsultimet me kryetarët e grupeve kryesore parlamentare, PS dhe PD për të marrë pëlqimin e tyre, në mënyrë që miratimi nga parlamenti i anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese të jetë sa më konsensual. Por vështirësia për rastin konkret është te mandati plotësues që duhet të përmbushë anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, pasi ai do të vazhdojë mandatin e ndërprerë të Gjergj Saulit, i cili largohet për shkak të mbushjes së moshës dhe të mbarimit të mandatit. Në këto kushte, nuk është e lehtë që një jurist me përvojë 15-vjeçare, të pranojë mandatin e anëtarit të kësaj gjykate, përveç rasteve kur anëtari është në prag të pensionit, por dhe të bërjes së një karriere të ardhshme politike, në varësi të qëndrimeve që do të mbajë në Gjykatën Kushtetuese. Emërimi i anëtarit të ri të kësaj gjykate, në këtë vit elektoral, bën më të mundshëm plotësimin e këtyre dy kushteve, se sa një jurist i cili do të kërkonte një karrierë profesionale në Gjykatën Kushtetuese, e më pas ndoshta dhe në Gjykatën e Lartë. Por anëtari i ri i kësaj gjykate pritet dhe të ndryshojë ose të lerë siç janë raportet në votimet në vazhdim në këtë gjykatë. Deri tani raportet e votimeve kanë qenë zakonisht pesë me katër, në adresë të rrëzimit të ligjeve të qeverisë aktuale. Por duhet thënë se ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Gjergj Sauli, gjatë viteve 2004-2007, kur mbante këtë post, është munduar të mbajë një qëndrim mjaft parimor në vendimmarrjen e saj, duke i hequr gjykatës imazhin e një institucioni me ndikim politik, siç ishte ajo e drejtuar nga Rustem Gjata apo Fehmi Abdiu, i cili vinte në të pas mandatit të deputetit socialist.

    Kushtetuta

Neni 127

Mandati i anëtarit të Gjykatë Kushtetuese mbaron kur:

a)    dënohet me vendim të formës së prerë;

b)    nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj;

c)     mbush moshën 70 vjeç;

ç)     jap dorëheqjen;

d)    me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›