E Shtunë, 31 Tetor 2026

I arrestuari për pronat, padi policisë për dëmtim imazhi

Vendimi i Gjykatës së Kavajës që ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të një të arrestuari, i ka nxitur avokatët mbrojtës të akuzojnë tashmë policinë se me publikimin e të dhënave të klientit të tyre, ka shkelur prezumimin e pafajësisë. 63-vjeçari, Ajet Elezi nga Durrësi është mbajtur tri ditë në qelitë e paraburgimit pas prangosjes së tij me urdhër ndalimi nga prokuroria. Ndërkohë, njoftimi i policisë është pasuar me të dhëna shtesë në media, ku i arrestuari cilësohej si mashtrues. Por, menjëherë pasi gjykata ka kërkuar që i pandehuri të lirohet në sallën e gjyqit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm, avokati mbrojtës deklaron se do të kërkojë dëmshpërblim për dëmtim të imazhit të klientit. "Kjo po kthehet në praktikë dhe ka mundësi që klienti të bëjë padi për dëm moral", u shpreh avokati Përparim Rama. Në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës të dhënat personale të Elezit u shpërndanë për mediat, menjëherë sapo ai u prangos. Në të thuhet se Ajet Ruzi, 63 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim policor, pasi dyshohet për mashtrim të kryer në bashkëpunim dhe se Prokuroria e Kavajës kishte nxjerrë urdhër ndalimi për të. Të nesërmen e arrestimit të tij duke iu referuar njoftimit të policisë, në shtyp u shkrua për 63-vjeçarin se ishte arrestuar për mashtrim me tokat në Durrës, në një kohë që gjykata gjatë masës së sigurisë e vlerësoi prangosjen të paligjshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›