Humbin paratë e që grabiti Leka
Prokuroria ka konstatuar gjatë numërimit të parave që grabiti Romeo Leka në bankë se janë “zhdukur” rreth 1.2 milionë lekë (të vjetra). Ka dyshime se paratë kanë humbur në momentin që Leka u ka qëlluar punonjësve të policisë, megjithëse prokuroria nuk përjashton asnjë pistë tjetër. Dosja e grabitjes së bankës dhe pengmarrjes së vajzës 19-vjeçare po hetohet nga Krimet e Rënda, të cilat, fillimisht kanë marrë në pyetje personelin e bankës dhe më pas pengun. Nga punonjësit e bankës u mësua se grabitësi kishte përfituar një thes me 3 milionë lekë, së bashku me faturën përkatëse. Thesi që mbante në dorë Leka është gjetur nga hetuesit, ndërsa brenda tij ishin përkatësisht 2.88 milionë lekë, pra mungonin rreth 120 mijë lekë. Prokuroria thotë se do të verifikojë sërish shumën, ndërsa do të bashkëpunojë me strukturat policore për zbardhje e së gjithë ngjarjes, që nga momenti i grabitjes e deri te pengmarrja. Pritet që Romeo Leka, me origjinë nga Lezha, të paraqitet sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësimin e masës së sigurisë. Mësohet se grupi hetimor do të marrë informacione nga Greqia dhe SHBA-ja. Pas hyrjes në fuqi të ligjit “për marrëdhëniet me autoritetet e huaja në çështjet penale” prokuroria nuk do të presë letër-porositë, por do të veprojë në shpejtësi të plotë. Ndërkohë, Krimet e Rënda presin edhe përgjigjet e analizës së gjakut dhe urinës të bëra ditën e ngjarjes, për dyshimet nëse 25-vjeçari ishte përdorues i lëndëve narkotike apo alkoolit.
#