E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet një automjet në Zveqan

Nga Express më 02 mars 2011 në ora 12:02

Një automjet privat, i tipit “Honda Civik” me targa të regjistrimit “KM”, besohet se është djegur si rezultat i zjarrvënies së qëllimshme me një substance ndezëse.

Policia bën të ditur se rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth 2.00 të mëngjesit të sotëm në rrugën “Bube Mihajloviq” në Zveqan.

Zëdhënësi i policisë, toger Besim Hoti tha se hetuesit policor besojnë se personat e paidentifikuar, kanë hedhur një përzierje ndezëse (koktej mollotovi) brenda automjetit të parkuar në oborrin e shtëpisë.

“Njësitë policore të cilat kanë reaguar në vendngjarje kanë konstatuar se persona ende të paidentifikuar kanë vënë zjarrin automjetit me ndihmë të substancës ndezëse, që besohet të jetë benzinë”, tha Hoti.

Zjarri është shuar pas intervenimit të zjarrfikësve të cilët me ndihmën e aparateve për fikje të zjarrit kanë arritur që të vejnë zjarrin nën kontroll.

Raportohet se dëme të mëdha materiale i janë shkaktuar automjetit të djegur, i cili konsiderohet të jetë djegur tërësisht ndërsa dëme materiale sipërfaqësore janë shkaktuar edhe në një pjesë të murrit të jashtëm (fasadës) së shtëpisë.

Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar në njerëz, ndërsa zyrtarët policor kanë intervistuar ankuesin përkatësisht viktimën e këtij rasti, një 42 vjeçar, të përkatësisë etnike serbe.

Policia e Kosovës rastin e ka regjistruar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa motivi dhe autorët e këtij akti kriminal mbeten ende të panjohur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›