E Shtunë, 31 Tetor 2026

E zgjedhin vetveten

Gati të gjithë kandidatet që kanë hyrë në listën e ngushtë për guvernator, janë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës. Madje, në mesin e tyre ka edhe anëtarë të Bordit. Ligji nuk thotë se Bordi mund ta zgjedhë vetveten Nga Express më 02 mars 2011 në ora 13:01

Banka Qendrore e Kosovës, me çdo kusht dëshiron që guvernatorin ta ketë nga radhët e veta. Prej tetë kandidatëve për guvernator të BQK`së, që u intervistuan të martën, pothuajse të gjithë janë punëtorë të Bankës Qendrore të Kosovës. Edhe pse konkurruan 27 kandidatë, Banka Qendrore eliminoi 19 dhe la në garë vetëm tetë, prej të cilëve gati krejt janë nga radhët e veta.

Burime të Expressit kanë treguar se bëhet fjalë për Nexhat Kryeziun, Gazmend Lubotenin, Ajri Begun, Sejdi Rexhepin, Flamur Keqën dhe Gani Gërgurin. Që të gjithë aktualisht mbajnë pozita udhëheqëse në BQK. Sidoqoftë, në Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, as nuk pohohet, e as nuk mohohet se a është ligjore që Bordi i BQK`së ta zgjedhë vetveten për guvernator. I njëjti burim ka treguar se deri më tani për intervistim janë ftuar vetëm kandidatë të cilët janë vlerësuar që i plotësojnë kushtet sipas kritereve të kërkuara në bazë të ligjit për emërimin e guvernatorit të BQK-së.

Sipas tij, konkurrenca kryesore mbetet mes kandidatëve që janë edhe punëtorë të BQK-së. Pastaj burimi thotë se sipas të gjitha gjasave, guvernatori do të dalë nga këta emra, të cilët janë aktualisht zyrtarë të BQK-së. Këtë e ka thënë duke u mbështetur në përvojën e punës së tyre dhe njohurive që posedojnë ata për punën e BQK-së.

“Është e natyrshme që të jetë njëri nga këta, sepse askush më mirë nuk mund ta njohë punën në BQK, pos atyre që kanë qenë pjesë e zhvillimeve të saj”, ka thënë burimi.
Paneli për nominimin e guvernatorit të BQK-së është i përbërë nga Mejdi Bektashi dhe Lulzim Ismajli nga BQK-ja, si dhe një ndërkombëtar nga Thesari amerikan.

Ndryshe, për pozitën e guvernatorit të BQK-së kanë konkurruar 27 kandidatë. 19 prej tyre janë eliminuar në fazën e parë dhe tani në garë akoma janë edhe 8 kandidatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›