E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet për dy javë gjykimi ndaj Gecit

Nga Express më 02 mars 2011 në ora 12:33

Edhe pse ishte paralajmëruar që gjykimi ndaj Sabit Gecit e Riza Alijajt do të fillojë në ditët e para të muajit mars, gjyqtarët e EULEX-it kanë vendosur që seancën e parë ndaj dy të akuzuarve për krime lufte ta mbajnë më datën 14 të këtij muaji.

“Gjykimi ndaj Sabit Geci e Riza Alijajt do të fillojë me datën 14 mars dhe ky gjykim do të mbahet në Gjykatën Supreme të Kosovës”, ka njoftuar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Peneli i gjyqtarëve të këtij rasti do të vijnë nga Mitrovica për të mbajtur këtë gjykim, ngase Gjykata e Qarkut e cila gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, është në renovim e sipër.

Data e mbajtjes së gjykimit është caktuar edhe pse i akuzuari kryesor në këtë aktakuzë Sabit Geci, sipas mbrojtjes është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Klienti im pati qëndruar për disa muaj në spital dhe me një vendim të gjykatës i njëjti është kthyer javë më parë në burg. Javën e kaluar pas një kontrolli që ia kanë bërë mjekët atij, ata kanë dhënë udhëzim që Geci të dërgohet në spital, mirëpo për këtë nevojitet leja nga gjykata”, ka njoftuar avokati Mahmut Halimi.

Sipas avokatit Halimi, i akuzuari Geci vuan nga disa sëmundje për çka edhe i nevojitet përkujdesja e vazhdueshme shëndetësore.

“Fillimisht na ishte thënë se gjykimi do të nisë më 2 mars dhe patëm planifikuar që fillimisht të diskutohet mbi gjendjen shëndetësore të Gecit. Në seancë do të kërkojmë që të jetë i pranishëm edhe mjeku”, ka shtuar Halimi, raporton Zëri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›