E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngacmuan seksualisht të miturën, arrestohen dy veta

Nga Express më 02 mars 2011 në ora 11:41

Dy të dyshuar, një 28-vjeçar dhe një 18-vjeçar, banorë të komunës së Vushtrrisë, janë arrestuar nga policia mbi bazë të dyshimit të përfshirjes së tyre në një rast të sulmit dhe ngacmimit seksual ndaj një femre të mitur.

Policia njoftoi se të dyshuarit janë arrestuar pas regjistrimit të rastit të iniciuar nga prindi i viktimës, i cili kishte njoftuar policinë për veprime të dyshimta seksuale nga të dyshuarit me vajzën e tij.

“Në bazë të deklaratës së siguruar nga viktima, thuhet se e njëjta ishte e shoqëruar në një restorant nga dy të dyshuarit ndërsa pas largimit të tyre me një automjet, të dyshuarit kishin sulmuar të njëjtën seksualisht”, bëri të ditur zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Dy të dyshuarit e arrestuar janë ndaluar në lokalet policore për mbajtje, ndërsa hetuesit policor kanë ndërmarrë veprimet e mëtejme të përcaktuara me procedurën penale.

Bëhet e ditur se viktima e këtij rasti është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Në bazë të hetimeve preliminare besohet se nuk ka elemente të përcaktimit të veprës penale kundër integritetit seksual “dhunim” ndërsa të dyshuarit janë ndaluar në lokalet policore për zhvillim të hetimeve të mëtejme të rastit të “ngacmimit dhe sulmit seksual”.

Zyrtarët policor theksuan se hetuesit ende janë në pritje të raportit zyrtar të ekzaminimit nga ekspertët e mjekësisë për të përcaktuar nëse rasti mund të ri-kualifikohet si vepër penale e dhunimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›