"Kroi i Gjarprit", digjen 2951 rrënjë kanabis sativa
"Kroi i Gjarprit" asgjëson parcela të tjera me bimën narkotike kanabis sativa në disa fshatra të Krujës, ndërsa rastet e fundit e konfirmojnë Qarkun e Durrësit si një prej zonave problematike në vend. Terreni i thyer dhe i pyllëzuar, mjaft i përshtatshëm për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe periudha parazgjedhore, ka bërë që kjo zonë të shfrytëzohet nga prodhuesit e hashashit. Pas evidentimit dhe asgjësimit të 5100 rrënjëve kanabis sativa në një nga fshatrat e Komunës Nikël të Krujës, të tjera parcela janë evidentuar dhe asgjësuar në zonat pyjore të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Shtjezë e Bret të Komunës Cudhi të këtij rrethi. Operacioni i koduar "Kroi i Gjarprit" u organizua dhe u zbatua nga efektiva të antinarkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit, në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë së Krujës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa. Parcelat u gjetën në zonat e pyllëzuara të këtyre fshatrave, ku dhe më parë është konstatuar kultivimi i bimës narkotike. Rezultati i operacionit "Kroi i Gjarprit" ishte 2951 rrënjë kanabis sativa të asgjësuara. Sakaq po vazhdon puna për identifikimin e zotëruesve të parcelave të mbjella, si dhe dokumentimi ligjor për operacionin. Në polici janë shoqëruar tre shtetas, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për momentin për arsye hetimi.