E Diel, 1 Nëntor 2026

Dik Çenej, dëshmitari gjaknxehtë dhe jobashkëpunues i FBI-së

Autori i Lajmit: Michael Isikoff
Kur FBI-ja mori në pyetje ish-zëvendëspresidentin amerikan, Dik Çenej, për dijeninë e tij rreth problemit të rrjedhjes së informacionit të CIA-s, zëvendëspresidenti humbi gjakftohtësinë dhe herë pas here rezultoi një bashkëpunëtor jobashkëpunues. Ai pretendonte në mënyrë të vazhdueshme se nuk mbante mend asgjë në pyetje shumë të rëndësishme, refuzoi të përgjigjej në të tjera me pretendimin se ato ishin biseda të “privilegjuara”, dhe u ankua në fund se nuk kishte kohë. Në fund, Çenej refuzoi një kërkesë standarde të procedurave të marrjes në pyetje që të mos e diskutonte me askënd atë që ishte folur aty. Këto dhe detaje të tjera të intervistës së Çenejt me FBI-në më datë 28 maj 2004, ishin brenda në një raporti të rishikuar 28 faqesh që u lëshua nga Departamenti i Drejtësisë të premten në mbrëmje vonë. Në raport nuk është se ka ndonjë ‘bombë’ që mund të ndryshojë perceptimin dhe daljen e informacionit të rezervuar, i cili çoi në padinë dhe shpalljen fajtor të ndihmësit kryesor të Çenejt, Skuter Libit, për dëshmi të rreme. Por ai nxjerr një sekret të vogël të një ish-presidenti, i cili nuk bëri asgjë për të fshehur përçmimin e tij për personazhet kyçe në këtë histori (që ishin CIA, media përshirë revistën “Newsweek” dhe me sa duket dhe agjentët e FBI-së, të cilët ishin autorizuar për të investiguar këtë çështje). “Ishte një orë diletantësh ajo që kalova në CIA”, - tha Çenej për FBI-në kur u morr në pyetje rreth vendimit të agjencisë për të dërguar ish-ambasadorin Xho Uillson në Niger, për të verifikuar pretendimet se Sadam Hysein po blinte koncentrat uraniumi (pasi Çenej kishte shprehur interes në lidhje me këtë fakt). Libi ishte detyruar t’u përgjigjej pyetjeve të medies në lidhje me çështjen për shkak të moskompetencës së CIA-s”, - tha Çenej në një pikë tjetër. I pyetur nëse ai e kishte autorizuar Libin që t’i jepte informacion lidhur me çështjen revistave “Newsweek” dhe “Time”, Çenej tha se “ai nuk mund ta konceptonte” të bënte diçka të tillë, sepse ai “nuk ka një opinion shumë pozitiv për “Newsweek”. (Çenej me sa duket shprehu të njëjtën konsideratë dhe për të përditshmen “The New York Times”, edhe pse për arsye që nuk janë të qarta pjesë të fragmenteve në të cilat ai flet për gazetën janë hequr). Edhe pse tani duket sikur ka kaluar një kohë shumë e gjatë, çështja e rrjedhjes së informacionit të CIA-s mbërtheu Uashingtonin në verën e vitit 2003, pasi ish-ambasadori Uillson, akuzoi se Shtëpia e Bardhë kishte dhënë informacion të shtrembëruar për shërbimin inteligjent rreth armëve të shkatërrimit në masë të Irakut. Një javë më vonë, historitë e opinionistit të ndjerë, Robert Novak dhe revistës “Time” vunë në dyshim besueshmërinë e Uillsonit, duke raportuar se bashkëshortja e tij punonte vetë në CIA dhe prandaj mund të ketë shërbyer si instrument për dërgimin e tij në udhëtimin e sponsorizuar nga inteligjenca amerikane në Niger. Shumë shpejtë pas kësaj, FBI-ja nisi një hetim kriminal, nëse dikush nga Shtëpia e Bardhë i kishte bërë “dalje” Valerie Plame Uillsonit, i cili atëherë ishte një agjent sekret i CIA-s. Dyshimet shumë shpejtë u përqendruan tek Libi, ndihmësi kryesor i zëvendëspresidentit, Dik Çenej. Por kur u pyet për bisedat e tij me Libin rreth kësaj çështjeje, Çenej i tha FBI-së (dhe prokurorit të veçantë, Patrik Fiçgerald, i cili mori pjesë gjatë intervistës) se ai nuk mbante mend shumë gjëra. Zëvendëspresidenti tha se vetëm atëherë ishte kujtuar se drejtori i CIA-së, Xhorxh Tenet, i kishte thënë se bashkëshortja e Uillsonit punonte për CIA-n. (Çenej tha se Teneti i ishte dukur “sikur donte të justifikohej dhe i shqetësuar” për çështjen në fjalë). Por Çenej “nuk e kujton të ketë diskutuar Valerie Uillsonin” me Libin, që në shkrimin e Novakut thuhet se shënimet e këtij të fundit e konfirmonin diçka të tillë dhe se Çenej në të vërtetë e kishte udhëzuar Libin të fliste me gazetarët rreth çështjes. (Çenej nuk kujtoi gjithashtu dhe detajet e bashkëbisedimeve që ai pati me Xho Uillsonin, me ish-këshilltaren për siguri kombëtare, Kondoleza Rajs, shefin e atëhershëm të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Endrju Kard, dhe këshilltarin politik, Karl Rove, - megjithëse ai e pranoi se të tilla biseda mund edhe të kishin ndodhur). Ndoshta, pjesë më intriguese të intervistat ndodhën afër fundit të saj, kur Çenej u pyet për vendimin e presidentit Bush në qershorin e vitit 2003 për të nxjerrë nga lista pjesë të Vlerësimeve të Inteligjencës Kombëtare për armët e shkatërrimit në masë të Irakut. Hetuesit federalë dëshironin të dinin se çfarë i kishte thënë ai Libit për vendimin e presidentit Xhorxh Bush. (Heqja e pjesëve komprometuese nga Dosja e Vlerësimit të Inteligjencës Kombëtare, solli dhe zbulimin e këtij fakti nga gazetari i “The New York Times”, Xhud Miller, pas bisedës me Libin, një raport që i jepte të “drejtë” Shtëpisë së Bardhë për armët e shkatërrimit në masë të Irakut). Por Çenej “refuzoi t’u përgjigjej” pyetjeve për nxjerrjen nga lista e dokumenteve, sepse ai nuk donte që të tregonte bisedat “shumë të privilegjuara mes tij dhe presidentit”. Kur Çenejt iu bë e “qartë” se ai po pyetej vetëm për atë që ai kishte diskutuar me Libin dhe jo presidentin, ai refuzoi edhe një herë tjetër të përgjigjej. Zëvendëspresidenti Çenej përsërit kërkesën e tij se ai duhet t’u shmangej komenteve të hetuesve për ndonjë bisedë të privilegjuar që ai mund të kishte bërë me presidentin Bush”, - shkruan raporti. Ishte pikërisht pas kësaj kur Çenej nisi të ankohej se ai “nuk kishte kohë”. Më pas, ai refuzoi pyetjen e FBI-së nëse ai kishte firmosur një dokument që s’do t’u lejonte gazetarëve të flisnin për biseda konfidenciale që mund të kishin pasur me të. Ai refuzoi gjithashtu kërkesën e zyrës që të premtonte se Çenej nuk do ta diskutonte çështjen e dëshmisë së tij me ndonjë dëshmitar tjetër të kësaj çështjeje. Avokati i tij, Terri O’Donell, ndërhyri duke thënë se ai e kishte kuptuar kërkesën e zyrës, por “nuk mund të ishte një angazhim detyrues” për të shmangur diskutime të tilla. Refuzimi e nxiti Fiçgeraldin që të theksonte se ishte e rëndësishme që memoaret e dëshmitarëve të tjerë të mos “ndikoheshin” nga Çenej. Dhe në këtë pikë të diskutueshme, intervista me dëshmitarin jobashkëpunues përfundoi.
(Newsweek)
Përktheu: Androkli DraloKy lajm është publikuar: 08/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›