Diktatori Mugabe në gjendje të rëndë

Sipas një zyrtari të partisë ZANUPF, presidenti 88-vjeçar është vendosur nën shërim intensiv, për shkak të një sëmundje që nuk bëhet publike.
Dyshimet mbi gjendjen shëndetësore të Mugabes nisën që të qarkullonin që nga fundjava, pasi një mbledhje e kabinetit u shty. Diktatori ndodhej në Singapor për të vizituar të bijën Bona, të regjistruar në një kurs pasuniversitar në Universitetin e Singaporit.
Një kabllogram amerikan, që daton nga qershori i vitit 2008 dhe i publikuar nga “Wikileaks” një muaj më parë, sugjeron se 88-vjeçari është prekur nga një kancer në prostatë, i cili është përhapur në organe të tjera.
Zimbabve, dikur njëri prej vendeve më të begatë në Afrikë, është shndërruar në një prej shteteve më të mjeruara në botë, si pasojë e nepotizmit të gjerë dhe politikave të gabuara në dekada prej qeverive të ndryshme të Mugabes, në pushtet prej 25 vitesh.